Izraeli ka kryer gjenocid kundër palestinezëve në Rripin e Gazës, tha në një raport historik të publikuar sot Komisioni i pavarur ndërkombëtar i hetimit i OKB-së mbi territorin e pushtuar palestinez, përfshirë Kudsin Lindor dhe Izraelin.
Komisioni i kërkoi Izraelit dhe të gjitha shteteve të përmbushin detyrimet e tyre ligjore sipas ligjit ndërkombëtar për t'i "dhënë fund gjenocidit dhe për të ndëshkuar ata që janë përgjegjës për të".
Pas dy vitesh hetimesh mbi ngjarjet që nga 7 tetori 2023, komisioni arriti në përfundimin se autoritetet dhe forcat izraelite të sigurisë kryen "4 nga 5" aktet gjenocidale të përcaktuara sipas Konventës së vitit 1948 për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit të gjenocidit - vrasje, shkaktim dëmtimesh të rënda trupore ose mendore, shkaktim të qëllimshëm të kushteve të jetesës të llogaritura për të sjellë shkatërrimin e palestinezëve tërësisht ose pjesërisht dhe vendosjen e masave që synojnë parandalimin e lindjeve.
Deklarata të qarta nga autoritetet civile dhe ushtarake izraelite dhe modeli i sjelljes së forcave të sigurisë izraelite tregojnë se aktet gjenocidale u kryen "me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, palestinezët në Rripin e Gazës si një grup", tha raporti.
Sipas kryetares së komisionit, Navi Pillay, përgjegjësia për krimet mizore bie mbi "autoritetet izraelite në nivelet më të larta, të cilat kanë orkestruar një fushatë gjenocidale për gati dy vjet me qëllimin specifik për të shkatërruar grupin palestinez në Gaza".
Ajo theksoi se Izraeli ka "shpërfillur në mënyrë flagrante urdhrat për masa të përkohshme nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe paralajmërimet nga shtetet anëtare, zyrat e OKB-së, organizatat e të drejtave të njeriut dhe grupet e shoqërisë civile" dhe se autoritetet "nuk kanë ndërmend të ndryshojnë rrjedhën e veprimeve të tyre".
Ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën brutale në Rripin e Gazës, duke vrarë gati 65 mijë palestinezë që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën ndërsa ekspertët kanë shpallur zi buke atje.