Ushtria izraelite vrau të premten herët në mëngjes katër palestinezë, përfshirë dy fëmijë, në sulme mbi Rripin e Gazës, ndërsa njëkohësisht hodhi në erë ndërtesa banimi me eksplozivë në Qytetin e Gazës, thonë burimet mjekësore.
Izraeli po vazhdon gati dy vjet luftën gjenocidale mbi enklavën, duke synuar ripushtimin e Qyteti të Gazës dhe shpërnguljen e banorëve të saj.
Sipas dëshmitarëve dhe burimeve mjekësore që folën për Anadolu, sulmet izraelite shënjestruan çadrat e familjeve të zhvendosura, si dhe grumbullime civilësh në disa pjesë të territorit.
Në Gaza qendrore, burimet mjekësore thanë se një palestinez u vra dhe të tjerë u plagosën nga një sulm në një tubim civilësh në rrugën Al-Azayza, në Deir al-Balah.
Një tjetër palestinez u vra dhe disa u plagosën në një sulm tjetër pranë kryqëzimit Abu Srar në kampin e refugjatëve Nuseirat.
Në jug të Gazës, dy fëmijë vëllezër u vranë dhe të tjerë u plagosën kur predhat izraelite goditën një çadër zhvendosjeje në zonën Al-Mawasi, në perëndim të Khan Younis, në agim.
Po ashtu në Qytetin e Gazës, disa persona u plagosën pasi predhat izraelite goditën një çadër pranë xhamisë Al-Tawhid në kampin e refugjatëve Al-Shati.
Gjashtë të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë, u plagosën nga artileria izraelite pranë kryqëzimit Al-Sousi në të njëjtin kamp.
Dëshmitarët thanë se ushtria përdori mjete të telekomanduara me eksplozivë për të shkatërruar ndërtesa dhe objekte pranë selisë së inteligjencës në veriperëndim të Qytetin e Gazës dhe në lagjen Tel al-Hawa, në jug të qytetit.
Ndërkohë, në Rafah, disa palestinezë që prisnin shpërndarjen e ndihmave u plagosën nga të shtënat e ushtrisë izraelite pranë zonës Shakoush, konfirmuan burimet mjekësore.
Që prej 27 majit, Izraeli ka nisur një mekanizëm unilateral të shpërndarjes së ndihmave përmes të ashtuquajturës “Fondacioni Humanitar i Gazës”, të quajtur “kurthe vdekjeje” nga palestinezët, i cili nuk njihet nga OKB-ja apo organizatat ndërkombëtare të ndihmës. Forcat izraelite kanë shënjestruar vazhdimisht civilët që presin në këto pika, duke vrarë dhe plagosur mijëra njerëz.
Që nga 7 tetori 2023, Izraeli po kryen një gjenocid në Gaza duke vrarë mbi 65.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Sulmet kanë zhvendosur qindra mijëra dhe kanë shkaktuar urinë që u ka marrë jetën të paktën 435 personave, mes tyre 147 fëmijë.