Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araghchi tha sot se 130 marinarë ishin në bordin e një anijeje luftarake iraniane që u godit nga ShBA-ja një ditë më parë në brigjet e Sri Lankës.
"ShBA-ja ka kryer një mizori në det, 2.000 milje larg brigjeve të Iranit. Fregata Dena, një mysafire e Marinës së Indisë që mbante pothuajse 130 marinarë, u godit në ujërat ndërkombëtare pa paralajmërim", shkroi ministri i Jashtëm, Araghchi në platformën amerikane të mediave sociale X.
"Mbani mend fjalët e mia: ShBA-ja do të pendohet thellë për precedentin që ka vendosur", paralajmëroi ai.
Deri më tani, të paktën 87 marinarë janë konfirmuar të vdekur pasi anija IRIS Dena u sulmua nga një torpedo amerikane pranë Sri Lankës të mërkurën. Autoritetet e Sri Lankës thanë se 32 marinarë të anijes IRIS Dena u plagosën dhe po trajtohen në spitalin "Karapitiya" në Galle.
Një operacion kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar në ujërat pranë qytetit jugor Galle për marinarët e zhdukur.
Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth konfirmoi se forcat amerikane sulmuan anijen luftarake iraniane, e cila kishte marrë pjesë në një stërvitje detare pranë brigjeve indiane muajin e kaluar.
IRIS Dena është një fregatë e klasit "Moudge" që shërben në Flotën Jugore të Marinës Iraniane.
Para sulmit, anija luftarake iraniane kishte marrë pjesë në stërvitjen detare shumëkombëshe "Milan 2026" dhe rishikimin e flotës të mbajtur në Gjirin e Bengalit. Ishte në rrugën e kthimit në shtëpi.
Sulmi ndodhi ndërsa Izraeli dhe ShBA-ja kanë vazhduar një sulm në shkallë të gjerë ndaj Iranit që nga e shtuna, duke vrarë të paktën 926 persona, përfshirë Khamenein dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
























