| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
ShBA-ja identifikon edhe dy ushtarë të tjerë të vrarë në sulmin me dron në Kuvajt
Gjashtë ushtarë amerikanë u vranë dhe 18 të tjerë u plagosën nga një dron iranian që shënjestroi një qendër logjistike të ShBA-së në Kuvajt.
ShBA-ja identifikon edhe dy ushtarë të tjerë të vrarë në sulmin me dron në Kuvajt
ShBA-ja identifikon edhe dy ushtarë të tjerë të vrarë në sulmin me dron në Kuvajt / Reuters
2 orë më parë

Pentagoni identifikoi të mërkurën edhe dy ushtarë të tjerë amerikanë të vrarë gjatë luftës kundër Iranit.

Ushtarët e rezervës së ushtrisë amerikane humbën jetën të dielën kur një dron goditi një objekt ushtarak të ShBA-së në Port Shuaiba, Kuvajt, një sulm që vrau edhe katër rezervistë të tjerë.

Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së tha se Jeffrey R. O’Brien, 45 vjeç, nga Indianola në Iowa, dhe Robert M. Marzan, 54 vjeç, nga Sacramento në Kaliforni, ishin mes gjashtë ushtarakëve amerikanë të vrarë të shtunën kur një dron iranian goditi Port Shuaiba.

Pentagoni tha se besohet që Marzan ka vdekur në vendngjarje gjatë sulmit, duke shtuar se identifikimi përfundimtar do të kryhet nga një ekspert mjeko-ligjor.

Pentagoni ka publikuar më herët publik edhe emrat e katër viktimave të tjera: Cody A. Khork, 35 vjeç, nga Winter Haven në Florida; Noah L. Tietjens, 42 vjeç, nga Bellevue në Nebraska; Nicole M. Amor, 39 vjeç, nga White Bear Lake në Minnesota; dhe Declan J. Coady, 20 vjeç, nga West Des Moines në Iowa.

Port Shuaiba, portI tregtar në Kuvajt, shërben gjithashtu si një qendër e rëndësishme logjistike për ushtrinë amerikane, e përdorur për transportimin e automjeteve taktike dhe furnizimeve në gjithë rajonin.

Përveç të vrarëve, edhe 18 ushtarakë të tjerë u plagosën në këtë sulm.

Sulmi me dron ndodhi menjëherë pas sulmeve të përbashkëta të ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit të shtunën, të cilat vranë disa zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei.

Që atëherë, Irani është kundërpërgjigjur me sulme që kanë në shënjestër vendet e Gjirit dhe asetet ushtarake amerikane në rajon.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë