Banka e Shqipërisë konfirmoi se të gjitha bankat shqiptare janë tashmë të gatshme për zbatimin e sistemit SEPA, që lejon pagesa në euro ndërkufitare me të njëjtat kushte si pagesat vendase.
“Ky është një lajm i madh për qytetarët dhe bizneset shqiptare që përfitojnë shërbime pagesash më të shpejta, më të lira dhe më të sigurta,” njoftoi BSH-ja.
Sipas Bankës së Shqipërisë, përfitimet kryesore përfshijnë:
Deri në 5 herë më pak kosto për transfertat në euro jashtë vendit;
Pagesa ndërkombëtare si ato vendase;
Përdorim të kartave bankare shqiptare në të gjithë Evropën;
Komisione të unifikuara dhe më të ulëta;
Lehtësi për bizneset, udhëtimet dhe jetën e përditshme.
SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro) është një nismë e Bashkimit Evropian që synon të unifikojë tregun e pagesave në euro, duke i bërë ato më të thjeshta dhe më transparente për konsumatorët, bizneset dhe institucionet publike.
Ky zhvillim konsiderohet një nga hapat më të dukshëm në afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, pasi demonstron përmbushjen e standardeve teknike, ligjore dhe institucionale të kërkuara për integrim në këtë sistem.
Procesi tashmë është plotësisht i automatizuar dhe përfshin të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend. Çdo klient me një llogari bankare në euro mund të kryejë ose të marrë pagesa SEPA drejt 41 vendeve të tjera të Evropës pa procedura shtesë.
Banka e Shqipërisë e përshkruan këtë si “një fitore për të gjithë”: qytetarët kursejnë para dhe kohë, bizneset fitojnë efikasitet dhe besueshmëri, ndërsa vendi forcon lidhjet me sistemin financiar evropian.