BOTA
3 minuta leximi
Kryeministri francez jep dorëheqje mes kritikave në rritje për kabinetin e ri
Sipas transmetuesit BFM TV, që citon Elyseen, Macron e ka pranuar dorëheqjen e Lecornut.
Kryeministri francez jep dorëheqje mes kritikave në rritje për kabinetin e ri
Kryeministri francez jep dorëheqje mes kritikave në rritje për kabinetin e ri / TRT Balkan
6 Tetor 2025

Kryeministri francez Sébastien Lecornu paraqiti dorëheqjen e tij të hënën te presidenti Emmanuel Macron, mes kritikave në rritje për kabinetin e sapo shpallur.

Sipas transmetuesit BFM TV, që citon Elyseen, Macron e ka pranuar dorëheqjen e Lecornut.

Dorëheqja e Lecornut erdhi menjëherë pasi ai prezantoi një qeveri të re që përfshinte kryesisht të njëjtat emra si ajo që u rrëzua më 8 shtator.

Kabineti i tij filloi menjëherë të tërheqë kritika nga partitë opozitare.

“Zgjedhja për ta mbajtur këtë qeveri të pandryshuar, të shoqëruar me njeriun që e çoi Francën në falimentim, është e mjerueshme”, deklaroi përmes platformës X (ish-Twitter) liderja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Liderja e të Gjelbërve, Marine Tondelier, vuri në dukje se “përbuzja e makronistëve ndaj demokracisë arrin një nivel të ri”, duke kritikuar rikthimin e Bruno Le Maire në qeveri.

Edhe lideri i grupit socialist, Boris Vallaud, tha se “këmbëngulja e makronistëve e zhyt vendin çdo ditë e më thellë në kaos.”

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, njoftoi se do të thërrasë një komitet strategjik të republikanëve të hënën, pas “situatës politike të krijuar” me njoftimin e ri.

“Përbërja e qeverisë nuk pasqyron ndryshimin e premtuar,” shkroi ai në X.

Në kabinetin e ri të Lecornut, Roland Lescure, anëtar i partisë së Macronit dhe ish-ministër i industrisë, zëvendësoi Eric Lombard në postin e ministrit të Financave.

Ish-ministri i Financave, Bruno Le Maire, u rikthye në qeveri, duke marrë drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, që më parë drejtohej nga vetë Lecornu.

Kabineti i ri i Lecornut përfshiu gjithashtu Eric Woerth si ministër për organizimin territorial dhe decentralizimin, Naima Moutchou si ministre për transformimin dhe veprimin publik, inteligjencën artificiale dhe teknologjinë digjitale, Mathieu Lefevre si ministër për marrëdhëniet me parlamentin, dhe Marina Ferrari si ministre për sportin, rininë dhe jetën komunitare.

Në postet e tyre mbetën: ministri i Brendshëm Retailleau, ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot, ministrja e Arsimit Elisabeth Borne, ministri për Territoret Jashtë Evropës Manuel Valls, ministri i Drejtësisë Gerald Darmanin, ministrja e Punës dhe Shëndetësisë Catherine Vautrin, ministrja e Kulturës Rachida Dati, ministrja e Mjedisit dhe Biodiversitetit Agnes Pannier-Runacher, ministrja e Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore Annie Genevard, ministrja e Llogarive Publike Amelie de Montchalin, ministri i Transportit Philippe Tabarot dhe ministrja e Barazisë Gjinore Aurore Berge.

Lecornu u emërua kryeministër pas humbjes së votëbesimit nga François Bayrou në Asamblenë Kombëtare më 8 shtator.

Bayrou, i cili kishte prezantuar kornizën buxhetore për vitin 2026 në korrik, kërkonte mbështetje për një plan për të kursyer rreth 44 miliardë euro si pjesë e përpjekjeve për të ulur borxhin publik në rritje të Francës, i cili tani arrin në 115 për qind të PBB-së.

Franca ka një nga deficitët më të lartë buxhetorë në BE, me 5.8 për qind të PBB-së.

Negociatat për buxhetin kanë qenë burim i madh tensioni në politikën franceze.

Dështimi për të arritur një marrëveshje për buxhetin e vitit 2025 çoi gjithashtu në rrëzimin e qeverisë së Michel Barnier në dhjetor, pasi partitë e majta dhe të djathta ekstreme u bashkuan pas një mocioni mosbesimi.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë