Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se dërgesat e mundshme të raketave lundruese me rreze të gjatë veprimi Tomahawk për Ukrainën do të shkatërronin marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit.
“Kjo do të çojë në shkatërrimin e marrëdhënieve tona. Ose të paktën të prirjeve pozitive që po shfaqen në këto marrëdhënie. Pra, unë po them atë që mendoj. Se si do të zhvillohen gjërat, nuk varet vetëm nga ne”, tha Putini në një intervistë me gazetarin rus Pavel Zarubin, një pjesë e së cilës u publikua në Telegramin e këtij të fundit.
Më herët, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e 22-të vjetore të Klubit Ndërkombëtar të Diskutimit Valdai në Soçi të enjten, Putini tha se dërgesa të tilla për Kievin nuk do të ndryshonin në asnjë mënyrë ekuilibrin në fushën e betejës.
Presidenti rus theksoi se përdorimi i raketave lundruese Tomahawk është i pamundur pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të personelit ushtarak amerikan, dhe se një hap i tillë do të shënonte një fazë krejtësisht të re dhe cilësisht të ndryshme të përshkallëzimit përfshirë edhe marrëdhëniet midis Rusisë dhe ShBA-së.
Kremlini po ashtu njoftoi se Rusia do të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme nëse ShBA-të vendosin të transferojnë raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë. Raketat kanë një rreze veprimi deri në 2.500 kilometra.
Muajin e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha për portalin “Axios” se i kishte kërkuar presidentit amerikan Donald Trump raketa Tomahawk gjatë takimit në kuadër të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Vetëm pak ditë më vonë, nënkryetari amerikan JD Vance konfirmoi se Uashingtoni po shqyrton kërkesën dhe se Trump do të marrë vendimin përfundimtar për këtë çështje.