Aktivistja italiane Elisabeth Di Luca, e cila iu bashkua Koalicionit të Flotiljes së Lirisë (FFC) gjatë rrugës për në Gaza, theksoi vendosmërinë e tyre për të thyer bllokadën pavarësisht shqetësimeve të tyre për rrezikun e një sulmi izraelit.
Aktivistët në bordin e anijes "Conscience" (Ndërgjegjja), të zbukuruar me një flamur palestinez dhe mesazhe mbështetjeje për Palestinën të shkruara nga aktivistët në të katër anët e kuvertës, vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Gazës, duke brohoritur me entuziazëm "Palestina e Lirë".
Di Luca, një nga aktivistet që përpiqet të arrijë në Gaza me anijen "Ndërgjegjja", tha për gazetarin e Agjencisë Anadolu (AA) se aktualisht po vazhdojnë udhëtimin e tyre në brigjet e Mesdheut pranë Egjiptit.
Ajo theksoi se ata kanë krijuar lidhje të forta me aktivistët në anije, përfshirë mjekë, gazetarë, zjarrfikës dhe punonjës humanitarë. "Ashtu si të gjitha veprimet e tjera lidhur me Gazën edhe qëllimi i Flotiljes së Lirisë është të thyejë bllokadën", shtoi Di Luca.
Aktivistja italiane tha se përveç qëllimit të tyre kryesor, ata synojnë të ofrojnë ndihmë humanitare si ushqim dhe ilaçe si dhe specialistë mjekësorë në Gaza. Di Luca nënvizoi se të gjithë e panë atë që i ndodhi Flotiljes Globale "Sumud", të cilën Izraeli e sulmoi dhe arrestoi aktivistët.
Di Luca tha se mendimet e saj mbi Flotiljen Globale "Sumud" vlejnë edhe për Flotiljen e Lirisë. "Sigurisht, jemi të shqetësuar. Nuk jemi budallenj. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se gjithçka që do të përjetojmë nuk është asgjë në krahasim me atë që po kalojnë palestinezët. Jemi të vendosur ta përjetojmë atë për t'i treguar botës se çfarë është vërtet Izraeli", u shpreh ajo.
"Ky është një mision i rëndësishëm. Është themelor, pasi duhet t'i tregojmë botës se dhënia e ndihmës në Gaza është e pamundur. Nuk mendoj se jemi heronj, por të paktën jemi të gjithë qenie njerëzore", deklaroi Di Luca.
Di Luca tha se sfidat bëhen më të lehta kur udhëtojnë me njerëz që ndajnë të njëjtin qëllim. "Ne të gjithë duam t'i japim fund padrejtësisë. Në kuptimin e plotë të fjalës kjo është arsyeja pse ne nisëm të njëjtën rrugë", tha ajo.
Flotilja Globale "Sumud"
Flotilja Globale "Sumud", e cila u nis për të thyer bllokadën izraelite dhe për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza, iu afrua ujërave të Gazës mbrëmjen e 1 tetorit.
Ushtria izraelite sulmoi flotiljen, duke sekuestruar në mënyrë të paligjshme dhjetëra varka dhe anije dhe duke ndaluar qindra pasagjerë të tyre.
Flotilja Globale "Sumud" është flotilja më e madhe deri më tani e nisur në formë masive për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza.