Zonja e parë e Türkiyes, Emine Erdoğan, po e vendos vizionin e “Zero Mbetje” të vendit në qendër të përgatitjeve për Konferencën e 31-të të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP31), ndërsa një fondacion mjedisor me seli në lstanbul, të cilin ajo e drejton si presidente nderi, prezantoi një kuadër gjithëpërfshirës të qëndrueshmërisë për samitin.
Kuadri, i përgatitur nga Fondacioni Zero Mbetje, përshkruan mënyrën se si COP31 synon të ulë emetimet e karbonit, të optimizojë përdorimin e burimeve dhe ta bëjë të matshme performancën mjedisore në të gjitha aspektet e konferencës, nga logjistika dhe vendet e zhvillimit, te angazhimi i aktorëve dhe transparenca.
COP31, të cilën Türkiye do ta kryesojë dhe presë në nëntor 2026, pritet të mbledhë rreth 200 vende për negociata mbi fazën e ardhshme të veprimit global për klimën në kuadër të Marrëveshjes së Parisit.
Kuadri i Qëndrueshëm për COP31 ofron një udhërrëfyes të harmonizuar ndërkombëtarisht, që përfshin protokolle për menaxhimin zero-mbetje, strategji për reduktimin dhe kompensimin e karbonit, planifikim të transportit dhe logjistikës së qëndrueshme, si dhe standarde të qarta mjedisore për vendet pritëse. COP31 parashikon gjithashtu mekanizma për të garantuar llogaridhënie dhe transparencë nga të gjithë pjesëmarrësit.
Avokimi i hershëm i Zonjës së Parë
Nisma pasqyron angazhimin e hershëm dhe të vazhdueshëm të Emine Erdoğanit për “Zero Mbetje” si një zgjidhje praktike dhe e shkallëzueshme ndaj sfidave mjedisore. Nën udhëheqjen e saj, lëvizja “Zero Mbetje” ka evoluar nga një politikë kombëtare në një model të njohur globalisht të qëndrueshmërisë.
Përtej planifikimit teknik, fondacioni po ndërton një proces të gjerë përgatitor me shumë aktorë në mbarë Türkiyen. Ky proces përfshin bashkëpunim me universitete dhe qendra kërkimore për zhvillimin e politikave, partneritete me pushtetet lokale për praktika të qëndrueshme urbane dhe angazhim me sektorin privat për t’i përshpejtuar modelet e prodhimit me karbon të ulët dhe për ta rritur ndërgjegjësimin publik.
Presidenti i Fondacionit Zero Mbetje, Samed Agirbas, tha se kjo qasje nuk shihet më vetëm si një ideal mjedisor, por si një zgjidhje konkrete dhe e matshme në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Ai e përshkroi COP31 si një mundësi historike për ta prezantuar modelin “Zero Mbetje” të Türkiyes para komunitetit ndërkombëtar në një skenë më të gjerë.
Roli i Emine Erdoğanit në diplomacinë globale mjedisore është rritur në mënyrë të qëndrueshme vitet e fundit. Në dhjetor 2022, një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e udhëhequr nga Türkiye dhe e bashkësponsorizuar nga 105 vende, shpalli 30 Marsin si Ditën Ndërkombëtare të “Zero Mbetje”. Erdoğan mbajti fjalimin kryesor në shënimin e parë të kësaj dite në mars 2023, në selinë e OKB-së në Nju Jork.
Gjatë atij aktiviteti, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, njoftoi krijimin e Bordit Këshillimor të Personave Eminentë për Zero Mbetje dhe e ftoi Erdoğan të shërbejë si kryetare e tij, rol që ajo e pranoi.
Më pas, ajo drejtoi një aktivitet të nivelit të lartë me titull “Drejt një Lëvizjeje Globale Zero Mbetje” në Shtëpinë Turke në Nju Jork, ku presidenti Recep Tayyip Erdoğan u bë nënshkruesi i parë i Deklaratës së Vullnetit të Mirë Globale për Zero Mbetje.
COP31 do të mbahet nga 9 deri më 20 nëntor 2026, kryesisht në qytetin mesdhetar të Antalias, ndërsa Samiti i Liderëve është planifikuar të zhvillohet në lstanbul. Diskutimet pritet të fokusohen në objektivat e përditësuara të emetimeve, strategjitë e përshtatjes, financimin e klimës dhe zbatimin e tregjeve globale të karbonit.
Duke i ankoruar përgatitjet për COP31 në kuadrin Zero Mbetje të promovuar nga zonja e parë, Türkiye synon ta ndërthurë përvojën e saj diplomatike me udhëheqjen mjedisore, duke e pozicionuar qëndrueshmërinë jo vetëm si temë të konferencës, por si parim drejtues të vetë samitit.























