Serbia dhe Franca nënshkruan të premten në Beograd një Deklaratë të përbashkët për projektin e metrosë së Beogradit, si dhe një Memorandum Mirëkuptimi për ndërtimin e kolektorit të kanalizimit për grumbullimin e ujërave të zeza “Veliko Selo – faza I”, në prani të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Dokumentet u nënshkruan nga zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Serbisë dhe ministri i Financave, Sinisha Mali, ministrja e Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, Aleksandra Sofronijeviç, si dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Francës, Zhan-Noel Baro.
Vuçiq, pas takimit me ministrin francez, deklaroi se Franca është një mik i sinqertë i Serbisë dhe një mbështetëse e fortë e përparimit të saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke rikujtuar se Parisi më herët kishte qenë ndër më kritikët ndaj zgjerimit të BE-së.
Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe, Vuçiq theksoi se bashkëpunimi mes Serbisë dhe Francës funksionon mirë, duke nënvizuar se në 11 muajt e parë të vitit të kaluar shkëmbimi tregtar i jashtëm ka tejkaluar dy miliardë euro.
Ai shtoi se kanë biseduar edhe për situatën gjeopolitike, si dhe për bashkëpunimin ushtarako-teknik, duke theksuar se Serbia vepron në këtë fushë në mënyrë diskrete dhe në përputhje me interesat e saj.
Vuçiq theksoi se kompanitë franceze janë të përfshira në disa nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Serbi, përfshirë koncesionin e aeroportit, ndërtimin e metrosë së Beogradit, impiantet për pastrimin e ujërave dhe infrastrukturën e kanalizimit.



















