| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Ish-krerët e Komunës së Koçanit mohojnë përgjegjësinë për tragjedinë e zjarrit
Në seancën e sotme, mbrojtja tha se aktakuza është e mangët, pa prova konkrete dhe se një pjesë e të akuzuarve kanë vepruar sipas ligjit ose me kompetenca të kufizuara.
Ish-krerët e Komunës së Koçanit mohojnë përgjegjësinë për tragjedinë e zjarrit
Ish-krerët e Komunës së Koçanit mohojnë përgjegjësinë për tragjedinë e zjarrit / TRT Balkan
4 Dhjetor 2025

Ish-kryetarët e Komunës së Koçanit në Maqedoninë e Veriut dhe të akuzuarit e tjerë në gjykimin për rastin “Pulse” mohuan përgjegjësinë për zjarrin e marsit të këtij viti në të cilin humbën jetën 63 persona dhe u lënduan mbi 200 të tjerë. 

Nën masa të rrepta sigurie, në Shkup ka vazhduar gjykimi për rastin e Koçanit, me praninë e prokurorëve, të akuzuarve, familjarëve të viktimave dhe gazetarëve. Në seancën e sotme, mbrojtja tha se aktakuza është e mangët, pa prova konkrete dhe se një pjesë e të akuzuarve kanë vepruar sipas ligjit ose me kompetenca të kufizuara.

Mbrojtja e ish-kryetarit të komunës Ratko Dimitrovski theksoi se ai ka qenë i vetmi që ka kërkuar të mos jepet leja për punë për klubin e natës ku ndodhi tragjedia, që para hapjes së tij. Ndërkaq, avokatët e ish-kryetarëve Nikollço Iliev dhe Ljupço Papazov thanë se përgjegjësia u takon shërbimeve profesionale dhe se një dënim i padrejtë do të ishte “tragjedi e dytë”.

Mbrojtja e inspektorëve të ndërtimit të akuzuar theksoi se “shkaku i tragjedisë nuk ishte për shkak të defekteve të ndërtimit në strukturën e ndërtesës” dhe se inspektorët “nuk mund të vepronin sepse nuk kishte raport ose urdhër për mbikëqyrje inspektuese”.

Ndërkohë, mbrojtja e të pandehurve nga rojet e sigurisë vlerësoi se akuza është e pabazuar, pa prova konkrete dhe e ndërtuar mbi supozime kaotike. Avokatët theksuan se disa nga të pandehurit kishin detyra të kufizuara dhe nuk mund të parandalonin futjen e mjeteve piroteknike dhe vunë në dukje dështimet institucionale dhe mungesën e mbikëqyrjes si arsyet kryesore të tragjedisë.

Gjykimi do të vazhdojë më 10 dhjetor me fjalët hyrëse të pjesës së mbetur të të akuzuarve, mes tyre ish-drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ish-ministra dhe inspektorë. Në këtë proces janë të akuzuar gjithsej 37 persona.

Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate si pasojë e lëndëve piroteknike gjatë një mbrëmjeje argëtuese, ku si pasojë humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë mbetën të plagosur.

Nga hetimet e para pas incidentit rezultoi se objekti në fjalë vepronte me licencë të rreme dhe me vite ka funksionuar pa i plotësuar standardet e kërkuara.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë