| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Propozohen shtatë ndryshime në kabinetin qeveritar të Shqipërisë
Në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Belinda Balluku, e cila la në fuqi pezullimin e saj nga detyra, Rama ka vendosur ta largojë atë nga dy postet që mbante.
Propozohen shtatë ndryshime në kabinetin qeveritar të Shqipërisë
Propozohen shtatë ndryshime në kabinetin qeveritar të Shqipërisë / AA
17 orë më parë

Pas mbledhjes së fundit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, të zhvilluar të enjten kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka propozuar shtatë ndryshime në kabinetin qeveritar.

Sipas medieve, në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Belinda Balluku, e cila la në fuqi pezullimin e saj nga detyra, Rama ka vendosur ta largojë atë nga dy postet që mbante: zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Në vend të Ballukut, kreu i qeverisë ka propozuar emërimin e Albana Koçiu në detyrën e zëvendëskryeministres, duke u larguar kështu nga posti i ministres së Brendshme.

Për postin e ministrit të Brendshëm është propozuar Besfort Lamallari, ndërsa për ministër të Drejtësisë është propozuar Toni Gogu.

Si ministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Rama ka propozuar Enea Karakaçi. Po ashtu, Erjona Ismaili është propozuar si ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Ndryshim ka edhe në krye të diplomacisë shqiptare, ku ish-ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Ferit Hoxha, është propozuar si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, në vend të Elisa Spiropali.

Ndërkohë, Ermal Nufi është propozuar si ministër i Mbrojtjes, duke zëvendësuar Pirro Vengu.

Propozimet pritet të kalojnë për miratim sipas procedurave përkatëse institucionale.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë