Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në paraqitjen e tij si i ftuar në një kanal televiziv, në kuadër të vizitës së ministrit kroat të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, foli për marrëdhëniet dypalëshe me Kroacinë, duke iu referuar marrëveshjeve ekzistuese strategjike me Mbretërinë e Bashkuar dhe Hungarinë, si dhe njoftimit të një marrëveshjeje të re partneriteti strategjik me Kroacinë.
"Jemi afër një marrëveshjeje partneriteti strategjik me Kroacinë që do të nënshkruajmë së shpejti. Ne të dy e njoftuam këtë në konferencën e përbashkët për mediat. Po diskutojmë një marrëveshje dypalëshe midis dy vendeve, e cila është e ngjashme me marrëveshjet që kemi me Hungarinë dhe Mbretërinë e Bashkuar", theksoi ministri Mucunski.
Ministri i Jashtëm maqedonas informoi se aktualisht po zhvillohen bisedime për të finalizuar procesin e krijimit të një partneriteti strategjik midis dy vendeve, i cili do të përfshijë disa fusha, përfshirë ekonominë, tregtinë, sigurinë dhe energjinë. Ai e përmendi Kroacinë si një "mentore në procesin e integrimit evropian" të vendit, duke theksuar mbështetjen e saj politike dhe ndihmën teknike.
Lidhur me partneritetin strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, Mucunski tha se sipas informacioneve nga institucionet kompetente, po punohet aktivisht për zbatimin e projektit të hekurudhës me shpejtësi të lartë, si dhe projekteve që lidhen me sistemin e shëndetit publik.
Duke iu referuar marrëveshjes me Hungarinë, Mucunski theksoi se nëpërmjet këtij partneriteti strategjik, po zbatohen disa projekte, veçanërisht në infrastrukturë, ku marrëveshja përfaqëson gjithashtu një mjet të rëndësishëm në përmirësimin e transportit publik.










.png?width=512&format=webp&quality=80)







