Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, u ka bërë thirrje vendeve të zhvilluara të marrin përgjegjësi më të madhe për uljen e emetimeve dhe sigurimin e financimit klimatik, duke theksuar se financimi duhet të bëhet më i qasshëm, më i parashikueshëm dhe më i përshtatshëm ndaj nevojave të vendeve.
"Vendet e zhvilluara, të cilat historikisht kanë konsumuar buxhetin global të karbonit, duhet të marrin përgjegjësi më të madhe për uljen e emetimeve dhe financimin", tha Erdoğan në hapjen e Samitit të Liderëve të COP31 në provincën jugore të Türkiyes, Antalya.
Ai paralajmëroi se bota po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha, përfshirë ngrohjen globale, humbjen e biodiversitetit, konsumin e tepruar të burimeve natyrore, kërcënimet ndaj sigurisë ushqimore dhe katastrofat klimatike gjithnjë e më shkatërruese.
Erdoğan bëri thirrje për qasje më të lehtë në financim, teknologji dhe mundësi për ngritjen e kapaciteteve, veçanërisht për vendet më pak të zhvilluara dhe shtetet e vogla ishullore në zhvillim.
"Ne e kemi përcaktuar si përgjegjësi parësore bërjen më të dukshme të nevojave të vendeve të Paqësorit dhe vendosjen e tyre në plan të parë", tha ai.
Duke paraqitur angazhimet klimatike të Türkiyes, Erdoğan tha se vendi po e ndjek dekarbonizimin në sektorë të ndryshëm, nga energjia dhe industria deri te transporti dhe bujqësia, duke e bërë tranzicionin e gjelbër një prioritet në të gjithë ekonominë e tij.
"Qytetërimi ynë është ndërtuar mbi respektin për natyrën, ndërsa Toka është një amanet i shenjtë që duhet mbrojtur dhe ruajtur", shtoi ai.
Ai rikonfirmoi angazhimin e Türkiyes për arritjen e emetimeve neto zero deri në vitin 2053, duke theksuar se konsideratat mjedisore po përfshihen në planifikimin e zhvillimit dhe politikat e sigurisë energjetike.
Duke iu referuar nismës "Zero Mbetje", të nisur në vitin 2017, Erdoğan tha se shkalla e riciklimit në Turqi ishte rritur nga rreth 13 për qind në gati 40 për qind deri në fund të vitit 2025.
Ai tha se vendi synon të arrijë përparim konkret në 10 fusha prioritare, përfshirë tranzicionin drejt energjisë së pastër, zero mbetje, sigurinë ushqimore, industrializimin, qytetet rezistente ndaj ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjen e oqeaneve.
Ai shtoi se gjatë dekadës së ardhshme, Türkiye synon gjithashtu të rrisë me 50 për qind pjesën e energjisë elektrike në konsumin e saj të energjisë, të përgjysmojë rritjen e gjenerimit të mbetjeve dhe të zgjerojë përdorimin e materialeve qarkulluese në industri.
- "Ajo që ka ndodhur në Gaza nuk është vetëm gjenocid, por edhe ekocid"
Duke iu referuar situatës në Gaza, Erdogan dënoi sulmet e Izraelit, duke theksuar se ato kanë shkaktuar shkatërrim të gjerë mjedisor, krahas humbjes së jetëve njerëzore.
"Siç theksova në fjalimin tim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ajo që ka ndodhur në Gaza nuk është vetëm gjenocid, por edhe ekocid", tha ai.
Ai përmendi shkatërrimin e pemëve të ullirit shekullore, ndotjen e tokës dhe ujit, si dhe shndërrimin e qyteteve të tëra në rrënoja.
Erdogan gjithashtu theksoi përkeqësimin e krizës humanitare pas reshjeve të dendura dhe përmbytjeve në enklavë, duke shtuar se dhjetëra mijëra tenda dhe strehimore ishin përmbytur në kushtet e shkatërrimit të gjerë të infrastrukturës.
"Qindra mijëra vëllezër dhe motra tanë në Gaza, të cilët nuk kanë çati mbi kokë, veçanërisht fëmijët e pafajshëm që dridhen nga të ftohtit, po luftojnë për të mbijetuar në ujë, në kushte dimërore dhe shpesh pa prindërit e tyre", tha ai.
Erdoğan theksoi se askush që ka qenë dëshmitar ose ka pasur dijeni për këtë situatë nuk mund t'i shmanget përgjegjësisë.
Ai bëri thirrje për dërgimin e menjëhershëm të ndihmave humanitare në Gaza, për t'i dhënë fund izolimit të saj dhe për t'i dhënë fund vuajtjeve që po u shkaktohen palestinezëve.
"Të demonstrosh fuqi përmes vuajtjeve të fëmijëve të Gazës është, sinqerisht, shenjë dobësie, pafuqie dhe mbi të gjitha mungesë ndërgjegjeje", tha Erdoğan.
Ai e përfundoi fjalimin duke theksuar se është thelbësore t'u lihet brezave të ardhshëm një botë më e pastër, më e gjelbër dhe më e drejtë, përpara se planeti të bëhet i pabanueshëm.















