| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Indonezi: Afro 1.200 të vdekur dhe të zhdukur në përmbytje
Në Sri Lanka, numri i viktimave nga cikloni Ditwah është rritur në 627, ndërsa 190 persona ende figurojnë si të zhdukur që nga momenti kur stuhia goditi vendin.
Indonezi: Afro 1.200 të vdekur dhe të zhdukur në përmbytje
Indonezi: Afro 1.200 të vdekur dhe të zhdukur në përmbytje / Reuters
8 Dhjetor 2025

Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Indonezi kanë lënë pas vetes pothuajse 1.200 të vdekur dhe të zhdukur deri të hënën, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive të Indonezisë.

Përmbytjet e papara, rrëshqitjet e dheut, stuhitë dhe ciklonet kanë shkaktuar shkatërrim të gjerë në mbarë Azinë. Indonezia është goditur më rëndë, e pasuar nga Sri Lanka.

Agjencia indoneziane e fatkeqësive njoftoi se vetëm në ishullin Sumatra, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë shkaktuar vdekjen e 961 personave, ndërsa 234 të tjerë raportohen si të zhdukur dhe rreth 5.000 janë plagosur. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë në vazhdim.

Më shumë se 3,2 milionë njerëz janë prekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet shkatërruese, ndërsa mbi një milion banorë të zhvendosur janë strehuar në vende të sigurta në provincat Sumatra Veriore, Sumatra Perëndimore dhe Aceh.

Presidenti indonezian, Prabowo Subianto, theksoi përkushtimin e qeverisë për të mobilizuar të gjitha burimet dhe fondet financiare të disponueshme për të mbështetur komunitetet e prekura, raportoi agjencia shtetërore Antara News.

Më herët, Prabowo kishte thënë se vendi planifikon të blejë deri në 200 helikopterë në vitin 2026, si për mbrojtje, ashtu edhe për nevoja të reagimit ndaj fatkeqësive natyrore.

Në Sri Lanka, numri i viktimave nga cikloni Ditwah është rritur në 627, ndërsa 190 persona ende rezultojnë të zhdukur që nga goditja e stuhisë më 17 nëntor, njoftoi Qendra për Menaxhimin e Fatkeqësive.

OKB-ja javën e kaluar bëri të ditur se të paktën 185 persona kanë vdekur në jug të Tajlandës, ndërsa 367 të tjerë raportohen të zhdukur. Katër vdekje janë regjistruar gjithashtu në Indi dhe tre në Malajzi si pasojë e kushteve ekstreme të motit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë