| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Mali i Zi do të dëmshpërblejë viktimat e kampeve të luftës në Kroaci dhe Bosnjë
Vendimi vjen mes përpjekjeve të Malit të Zi për të mbyllur kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kroacia vijon të ketë kundërshtime ndaj këtij procesi.
Mali i Zi do të dëmshpërblejë viktimat e kampeve të luftës në Kroaci dhe Bosnjë
Mali i Zi do të dëmshpërblejë viktimat e kampeve të luftës në Kroaci dhe Bosnjë / َAA
 

Qeveria e Malit të Zi miratoi të premten masa për dëmshpërblimin e shtetasve kroatë që u ndaluan dhe u torturuan në kampet e luftës në Mal të Zi, si dhe për dhënien e ndihmës financiare të njëhershme për familjet e viktimave malazeze të mbajtura në kampe në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Sipas një deklarate qeveritare, ministrat miratuan një raport mbi përfundimin e negociatave mes Malit të Zi dhe Kroacisë për një marrëveshje për dëmshpërblimin e shtetasve kroatë që u mbajtën me forcë në kampe në territorin malazez nga 30 shtatori 1991 deri më 18 gusht 1992.

Marrëveshja përcakton dispozitat për dëmshpërblimin e shtetasve kroatë të cilëve iu hoq liria në mënyrë të paligjshme, përfshirë ata që u ndaluan dhe u torturuan në kampet në Mal të Zi gjatë asaj periudhe. Ajo përcakton gjithashtu detyrimet e të dyja qeverive për zbatimin e saj.

Qeveria miratoi edhe një propozim për dhënien e ndihmës financiare të njëhershme për familjet e viktimave të kampit Lora në Split të Kroacisë dhe të kampeve në zonat e Ljubushkit dhe Mostarit në Bosnjë e Hercegovinë.

Megjithëse krimet ndodhën jashtë Malit të Zi, viktimat ishin shtetas malazezë të cilët, sipas qeverisë, u lanë pas dore nga autoritetet e atëhershme.

Qeveria tha se kjo ndihmë do të pasojë nismat e mëparshme që ofruan mbështetje financiare të njëhershme për familjet e viktimave civile të vrara në Shtërpci, Murino dhe Tuz.

Masat u cilësuan si një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të besimit tek institucionet shtetërore, njohjes së vuajtjeve të viktimave dhe nxitjes së solidaritetit mes njerëzve.

Këto masa vijnë në një kohë kur Mali i Zi ka intensifikuar përpjekjet për mbylljen e kapitujve në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kroacia, shtet anëtar i BE-së me të drejtë vetoje ndaj zgjerimit, ka bllokuar mbylljen e disa kapitujve kyç për shkak të mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe që datojnë nga luftërat e viteve 1990.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë