| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Prishtinë, me mbështetjen e Yunus Emre mbahet aktiviteti "Të rinj që kodojnë të ardhmen"
Ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunc Angili, tha se e ardhmja jetësore e të rinjve përcaktohet nga vendimet që ata bëjnë që herët.
Prishtinë, me mbështetjen e Yunus Emre mbahet aktiviteti "Të rinj që kodojnë të ardhmen"
Prishtinë, me mbështetjen e Yunus Emre mbahet aktiviteti "Të rinj që kodojnë të ardhmen" / AA
15 Janar 2026

Është mbajtur në Prishtinë aktiviteti promovues "Të rinj që kodojnë të ardhmen" – Teknofest 2026 me synim inkurajimin e të rinjve në Kosovë për t'u angazhuar në fushën e teknologjisë, programimit dhe inovacionit.

Ngjarja e organizuar nga "EngineeringHER Future", me mbështetjen e Institutit Yunus Emre shërben si platformë informuese mbi procesin e aplikimit dhe mundësitë që ofron Teknofest 2026 një nga festivalet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit, i cili mbahet çdo vit në Türkiye.

Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit, shumica e tyre nxënës në shkollat e Prishtinës, patën mundësi të njihen në mënyrë të detajuar me përvojat dhe historitë e suksesit të të rinjve nga Kosova që kanë marrë pjesë dhe janë vlerësuar në Teknofestin e vitit 2025, duke ndarë shembuj konkretë të projekteve të realizuara dhe ndikimin e tyre.

Organizatorët theksuan se ngjarja synon ta nxisë përfshirjen më të madhe të të rinjve në projekte teknologjike dhe inovative si dhe ta promovojë kulturën e inovacionit në Kosovë.

Ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunc Angili tha se e ardhmja jetësore e të rinjve përcaktohet nga vendimet që ata bëjnë që herët. Ai tha se teknologjia po e ndryshon botën dhe është i kënaqur që pjesë e këtij ndryshimi janë edhe fëmijët në Kosovë.

"Si ambasadorë të ardhshëm të Kosovës, ndoshta në Türkiye, ndoshta në pjesë të ndryshme të botës, mbani mend gjithmonë se Türkiye dhe populli turk janë miq të Republikës së Kosovës, ne gjithmonë do të qëndrojmë pranë jush, arritjeve dhe suksesit tuaj dhe mendojmë se është edhe suksesi ynë", tha Angili.

Ministri i Zhvillimit Rajonal në Kosovë, Fikrim Damka, tha se bota po ndryshon me një shpejtësi marramendëse dhe fuqia e kombeve nuk matet vetëm me pasuritë nëntokësore, por edhe me potencialin njerëzor dhe zhvillimin teknologjik.

Ai tha se Teknofest nuk është vetëm një garë, por një platformë vetbesimi dhe të rinjtë që arritën suksese në 2025 dëshmuan se çfarë mund të arrijnë bijtë e Kosovës kur u jepet mundësia.

"Çelësi i zhvillimit lokal është digjitalizimi dhe inovacioni. Ne do të vazhdojmë të mbështesim në çdo mënyrë për të hequr pengesat para jush dhe për të ndihmuar që idetë t'i shndërroni në projekte e projektet në vlerë të shtuar", tha Damka.

Vëmendje e veçantë në këtë ngjarje iu kushtua inkurajimit të vajzave të reja për t'u angazhuar në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë). Gjatë vitit 2025, ekipi kosovar "EngineeringHER Future" arriti të kualifikohet në finalet e Teknofest 2025 në Istanbul.

Ky edicion i Teknofest tërhoqi mbi 565 mijë ekipe dhe 1.2 milion pjesëmarrës nga 96 shtete, duke bërë përfaqësimin e Kosovës mes finalistëve një sukses të jashtëzakonshëm dhe dëshmi të potencialit të të rinjve kosovarë në shkencë, inovacion dhe teknologji.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë