Shqipëria shënon sot 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë me ceremoninë e ngritjes së flamurit pranë Monumentit të Pavarësisë në Vlorë, ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës.
Të pranishëm ishin presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, dhe kryeministri Albin Kurti. Ceremonisë iu bashkuan edhe drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe qytetarë.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, krerët shtetërorë vendosën kurora me lule pranë Monumentit të Pavarësisë dhe u përkulën në nderim të përpjekjeve për liri dhe pavarësi.
28 Nëntori, i njohur edhe si Dita e Flamurit, përkujton shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe kremtohet nga shqiptarët në trevat shqiptare dhe në mbarë botën.
Në mesazhin e tij për këtë përvjetor, presidenti Begaj bëri thirrje për unitet dhe angazhim për të ardhmen e vendit.
“Me krenari për historinë tonë, me dashuri për atdheun dhe besim në forcën e unitetit, le ta bëjmë këtë moment historik një mundësi për më shumë zhvillim, përparim dhe shpresë në të ardhmen e vendit tonë”, shprehet presidenti Bajram Begaj.















