Presidenti Vlladimir Putin ka deklaruar se Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë me mjete diplomatike ose ushtarake dhe se do të kërkojë të zgjerojë atje një “zonë sigurie”.
“Së pari, qëllimet e operacionit special ushtarak pa dyshim do të arrihen. Ne do të preferonim ta bënim këtë dhe të adresonim shkaqet rrënjësore të konfliktit përmes diplomacisë”, tha Putin të mërkurën.
“Nëse pala kundërshtare dhe mbështetësit e saj të huaj refuzojnë të angazhohen në diskutime thelbësore, Rusia do ta arrijë çlirimin e tokave të saj historike me mjete ushtarake. Detyra e krijimit dhe zgjerimit të një zone sigurie tampon do të trajtohet gjithashtu në mënyrë të vazhdueshme.”
Përveç kësaj, Rusia mban nën kontroll edhe disa territore në rajonet fqinje të Kharkivit, Sumyt, Dnipropetrovskut dhe Mykolaivit.
Komentet e Putinit sinjalizuan se Moska do të kërkojë përfitime të mëtejshme në disa prej këtyre fronteve.
Ndërsa lufta ndodhet në një moment kyç dhe presidenti amerikan Donald Trump po shtyn fort për një marrëveshje të shpejtë paqeje, Putin tha se Rusia po avancon në të gjitha frontet.
Por ministri i tij i Mbrojtjes, Andrei Belousov, pranoi se forcat ukrainase po përpiqeshin të rimerrnin kontrollin e qytetit verilindor Kupiansk, një përpjekje që, sipas tij, nuk po kishte sukses.
Ukraina tha të mërkurën se kishte marrë nën kontroll 90 për qind të qytetit, të cilin Rusia kishte deklaruar se e kishte pushtuar në nëntor.
Putin tha se njerëzit në Evropë po indoktrinohen me frikën e një lufte me Rusinë dhe akuzoi udhëheqësit e tyre për nxitje histerie.
“E kam thënë vazhdimisht: kjo është një gënjeshtër, një marrëzi, një absurditet i pastër për ndonjë kërcënim imagjinar rus ndaj vendeve evropiane. Por kjo po bëhet qëllimisht”, tha ai.
Putin ka deklaruar se Rusia nuk po kërkon luftë me Evropën, por është e gatshme për luftë nëse kjo është zgjedhja e Evropës.















