Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, mori pjesë në Ministerialin e Kartës së Adriatikut të mbajtur në Sarajevë, një platformë që bashkon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pesë vende të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi sfidat e trashëguara dhe kërcënimet e reja për rajonin, duke nënvizuar nevojën për partneritet më të ngushtë, investime në kapitalin njerëzor, mbrojtje kibernetike, industri, pajisje dhe sisteme të përbashkëta.
“Ballkani Perëndimor ka ende shumë sfida të trashëguara dhe kërcënime të reja, të cilat kërkojnë partneritet më të ngushtë, investime në kapitalin njerëzor, në mbrojtje kibernetike, në industri, në pajisje dhe sisteme të përbashkëta”, theksoi Vengu në një postim.
Ai shtoi se, së bashku me ShBA-në, Shqipëria beson se kjo nismë rajonale është një platformë thelbësore që duhet orientuar drejt bashkëpunimit më efektiv në funksion të rritjes së qëndrueshmërisë së secilit vend pjesëmarrës.
Në këtë kontekst, ministri theksoi se anëtarësimi i Kosovës në A5 është një nevojë strategjike, e domosdoshme për sigurinë dhe arkitekturën e stabilitetit në rajon.






















