| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Kosova nuk planifikon shërbim të detyrueshëm ushtarak, paralajmëron model vullnetar
"Secili qytetar i Kosovës do të ketë mundësinë të regjistrohet dhe të jetë vullnetar në Forcën e Sigurisë së Kosovës", tha Maqedonci.
Kosova nuk planifikon shërbim të detyrueshëm ushtarak, paralajmëron model vullnetar
Kosova nuk planifikon shërbim të detyrueshëm ushtarak, paralajmëron model vullnetar / TRT Balkan
20 Shkurt 2026

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka deklaruar se Kosova nuk do të aplikojë shërbim të detyrueshëm ushtarak, por do ta zhvillojë modelin e shërbimit vullnetar në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). 

Siç raportojnë mediet lokale, Maqedonci theksoi se koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse synon përfshirjen e qytetarëve në mënyrë vullnetare për të rritur kapacitetet rezervë të vendit.

"Secili qytetar i Kosovës do të ketë mundësinë që të regjistrohet dhe të jetë vullnetar në Forcën e Sigurisë së Kosovës", tha Maqedonci.

Sipas ministrit, qëllimi është ndërtimi i një sistemi rezervë që mund të aktivizohet në rast nevoje, në përputhje me praktikat e vendeve të NATO-s. Ai shtoi se FSK-ja ka kapacitete materiale të mjaftueshme për këtë model.

"Ne sot kemi katërfish më shumë pushkë individuale sesa personel aktiv", tha Maqedonci duke theksuar se përfshirja e qytetarëve do të rregullohet me ligj dhe do të shoqërohet me trajnim të duhur.

Ai po ashtu tha se qëllimi nuk është "militarizimi i shoqërisë, por rritja e gatishmërisë dhe ndërgjegjësimit për mbrojtjen e vendit".

Maqedonci theksoi se FSK-ja mbetet një forcë profesionale dhe se modeli i rezervave do të shërbejë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë