Shtetet e Bashkuara kanë finalizuar shitjen e parë të naftës venezueliane, në vlerë prej 500 milionë dollarësh, i tha një zyrtar i administratës CNN-it.
Zyrtari shtoi se priten shitje të tjera nafte në ditët dhe javët e ardhshme.
Më herët këtë muaj, presidenti Donald Trump deklaroi se synonte të kishte akses në rezervat e naftës së Venezuelës, më të mëdhatë në botë, pas ndërhyrjes ushtarake të ShBA-së në vend dhe kapjes së presidentit Nicolas Maduro.
Megjithëse nuk është e qartë se nga ka ardhur kjo shifër, Trump tha të premten se industria e naftës do të kontribuojë me të paktën 100 miliardë dollarë për të riparuar sektorin e dëmtuar energjetik të Venezuelës.
Ai shtoi gjithashtu se ShBA-ja do të eksportojë 30–50 milionë fuçi naftë venezueliane në bashkëpunim me kompani amerikane.
Të premten, drejtues të industrisë energjetike amerikane, të pranishëm në Shtëpinë e Bardhë, vunë në pikëpyetje planet e administratës për të përfituar nga nafta e Venezuelës.
“Është e painvestueshme”, paralajmëroi CEO i ExxonMobil, Darren Woods, gjatë diskutimeve me zyrtarët për sfidat e të bërit biznes në Venezuelë. “Duhet të krijohen një sërë kornizash ligjore dhe tregtare për të kuptuar qoftë edhe se çfarë lloj kthimi mund të kemi nga investimi”.
Ndërkohë, detajet e shitjes së parë të naftës mbetën të paqarta të mërkurën.
“Ekipi i Presidentit Trump po lehtëson diskutime pozitive dhe të vazhdueshme me kompani nafte që janë të gatshme dhe të përgatitura të bëjnë investime të paprecedenta për të rikthyer infrastrukturën e naftës në Venezuelë”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Taylor Rogers, sipas CNN.

















