Rusia paralajmëroi sot se nëse Bashkimi Evropian (BE) vendos të sekuestrojë asetet e saj të 'ngrira' mund ta shohë atë si një "casus belli", një term latin që do të thotë "shkak për luftë".
Në deklaratën në platformën mediatike ruse MAX, zëvendës sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev tha: "Nëse BE-ja e çrregulluar ende përpiqet të vjedhë asetet ruse të bllokuara në Belgjikë duke lëshuar të ashtuquajtur kredi dëmshpërblimi, veprimet e tilla sipas ligjit ndërkombëtar mund të kualifikohen si një lloj i veçantë 'casus belli', me të gjitha pasojat që vijnë për Brukselin dhe vendet individuale të BE-së".
"Dhe pastaj kthimi i këtyre fondeve mund të ndodhë jo përmes një gjykate, por përmes dëmshpërblimeve aktuale, të paguara në natyrë nga armiqtë e mundur të Rusisë", shtoi Medvedev.
Medvedev shërbeu si president i Rusisë në periudhën 2008-2012 dhe është i njohur për deklaratat e tij provokuese.
















