RAJONI
3 minuta leximi
Anëtari i Presidencës së BeH-së kërkon përjashtimin e hungarezëve nga EUFOR-i
Zheljko Komshiq theksoi se misioni EUFOR-Althea duhet të jetë plotësisht neutral dhe brenda mandatit të tij.
Anëtari i Presidencës së BeH-së kërkon përjashtimin e hungarezëve nga EUFOR-i
Anëtari i Presidencës së BeH-së kërkon përjashtimin e hungarezëve nga EUFOR-i / AA
7 Mars 2025

Zheljko Komshiq theksoi se misioni EUFOR-Althea duhet të jetë plotësisht neutral dhe brenda mandatit të tij.


Anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiq, ka kërkuar zyrtarisht përjashtimin e kontingjentit hungarez EUFOR në BeH nga Këshilli Evropian.

Komshiq ia drejtoi kërkesën Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke e falënderuar për mundësitë e ofruara që Bosnjë e Hercegovina të vazhdojë rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, si dhe për mirëkuptimin e treguar nga institucionet e BE-së.

"Unë do të doja t'ju kërkoja, në bashkëpunim me Komitetin Politik dhe të Sigurisë të BE-së (PSC), Komitetin Ushtarak të BE-së (EUMC), znj. Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Luigi Sorec, Shef i Delegacionit të BE-së në Bosnjë e Hercegovinë, ta shqyrtoni kërkesën për zëvendësimin e një kontigjenti hungarez me një kontigjent tjetër ushtarak nga EUFOR-i", thekson Komshiq në kërkesën drejtuar presindetit të KE-së.

Në këtë drejtim, anëtari i presidencës së BeH përjashtoi forcat e Republikës së Kroacisë, të cilat, sipas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, nuk mund të kenë forca ushtarake në Bosnjë e Hercegovinë.


Ai theksoi në kërkesë se “arsyeja e kësaj kërkese janë aktivitetet e vazhdueshme të zyrtarëve të lartë hungarez, të cilët në pozicionet e tyre shprehin mbështetje të drejtpërdrejtë politike dhe ekonomike për z. Milorad Dodik, një nga aktorët politikë në Bosnjë e Hercegovinë, i cili prej disa kohësh po cenon rendin kushtetues dhe ligjor të BeH-së, gjë që po shkakton vazhdimisht destabilizimin e vendit dhe të rajonit, për shkak të ideve dhe synimeve të tij secesioniste”, tha ai më tej.

“Është veçanërisht delikate që një mbështetje e tillë po shprehet në kohën kur në Bosnjë e Hercegovinë po zhvillohet një çështje gjyqësore kundër z. Dodik, e cila duhet të jetë e lirë nga çdo ndikim politik dhe ndërhyrje politike”, theksoi Komshiq dhe shtoi:

“Për shkak të qëndrimeve të tilla politike të zyrtarëve të lartë hungarezë, është krijuar perceptimi i njëanshmërisë së tyre të dukshme në publikun e gjerë në Bosnjë e Hercegovinë, gjë që përfundimisht mund të çojë në mosbesim në qëllimet e sinqerta të misionit EUFOR-Althea”.

Ai theksoi se misioni EUFOR-Althea duhet të jetë plotësisht neutral brenda mandatit të tij dhe se prania e forcave nga një prej vendeve të BE-së që tregon njëanshmëri ndaj aktorëve politikë që kanë ide dhe synime secesioniste kundër Bosnjë e Hercegovinës, e cila është shumë e dëmshme për shtetin dhe institucionet e tij, nuk kontribuon dhe nuk mund të kontribuojë në krijimin e një atmosfere të paanshmërisë për forcat e misionit të EUFOR-it.

Reagimi i Komshiqit erdhi pasi zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Hungarisë, Levent Magyar, e mbështeti hapur Dodikun me disa deklarata që mund të interpretohen si ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit të Bosnjë e Hercegovinës.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë