Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, urdhëroi sot ushtrinë që të godasë “menjëherë” urat mbi Lumin Litani në jug të Libanit, raportojnë mediat izraelite, transmeton Anadolu.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se urdhri synon “të parandalojë kalimin” e luftëtarëve dhe armëve të Hezbollahu drejt jugut, raportoi portali i lajmeve The Times of Israel.
Ushtria tha se planifikon të shënjestrojë Urën Qasmiya në autostradën bregdetare në jug të Libanit, duke pretenduar se struktura po përdoret për “aktivitete militante” dhe transferimin e operativëve “nën mbulesën e popullsisë civile”.
Katz ka thënë se e ka udhëzuar ushtrinë “të përshpejtojë shkatërrimin e shtëpive libaneze në fshatrat e vijës së kontaktit, për të penguar kërcënimet ndaj komuniteteve izraelite, në përputhje me modelin e Beit Hanounit dhe Rafahut”, duke iu referuar veprimeve të përdorura në Rripin e Gazës.
Ushtria izraelite ka bombarduar Libanin me sulme ajrore dhe ka nisur një ofensivë tokësore në jug të Libanit që nga një sulm ndërkufitar nga Hezbollahu më 2 mars.
Javën e kaluar, gazeta Yedioth Ahronoth raportoi se forcat e ushtrisë izraelite aktualisht po operojnë 7–9 kilometra brenda territorit libanez.
Sipas autoriteteve libaneze, të paktën 1.024 persona janë vrarë dhe 2.740 janë plagosur në sulmet izraelite që nga 2 marsi.
Përshkallëzimi aktual pasoi një ofensivë të përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit, e cila ka shkaktuar mbi 1.300 viktima që nga 28 shkurti. Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit, për të cilat thotë se strehojnë “asete ushtarake amerikane.”





















