Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se angazhimi i mëtejshëm diplomatik mund të pasojë së shpejti përpjekjet e udhëhequra nga Moska dhe Uashingtoni, si dhe ka shprehur optimizëm në lidhje me perspektivat për paqe në Ukrainë, pasi zhvilloi bisedime me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Duke me gazetarët në bordin e fluturimit të kthimit nga Turkmenistani, Erdoğan tha se Ankaraja shpreson të angazhohet edhe me presidentin amerikan, Donald Trump, për të vlerësuar një plan të mundshëm të paqes.
“Pas këtij takimi me Putinin, shpresojmë të kemi mundësinë të diskutojmë edhe planin e paqes me presidentin amerikan Trump. Paqja nuk është larg, mund ta shohim”, tha Erdoğan, duke iu referuar takimit të tij dypalësh me presidentin rus në Turkmenistan.
Erdoğan theksoi se takimi i tij me Putinin u përqendrua në konfliktet e vazhdueshme dhe iniciativat diplomatike të nisura me përfshirjen e Trumpit.
“Ne vlerësuam kontributet që vendi ynë mund të japë në përpjekjet për paqe”, tha ai, duke shtuar se dialogun e nisur përmes përpjekjeve të Trumpit e shohin “pozitiv”.
Ai theksoi se qëndrimi i Ankarasë kuptohet qartë nga të gjitha palët e përfshira në procesin e paqes në Ukrainë.
“Kryesisht folëm për luftën dhe përpjekjet për paqe. Z. Putin, si të gjithë aktorët e tjerë, e di shumë mirë se ku qëndron Türkiye në këtë çështje”, tha Erdoğan.
Duke iu referuar sigurisë rajonale, Erdogan paralajmëroi kundër shndërrimit të Detit të Zi në një zonë konfrontimi.
“Deti i Zi nuk duhet të shihet si një arenë rivaliteti. Kjo nuk do t’i sillte dobi Rusisë apo Ukrainës. Të gjitha kanë nevojë për liri lundrimi dhe siguri në Detin e Zi”, shtoi ai.
Lidhur me Sirinë, Erdoğan theksoi rëndësinë e marrëveshjes së 10 marsit, duke e quajtur atë kritike për të ardhmen e vendit.
“Marrëveshja e 10 marsit është një proces që ka të bëjë ngushtë me të ardhmen e rajonit. Arritja e qëllimeve të parashikuara nga marrëveshja do të jetë rezultati më i dobishëm për Sirinë”, tha ai, duke shtuar se Türkiye kërkon prosperitet për të gjithë sirianët pavarësisht etnisë apo sektit.
Duke iu referuar Gazës, Erdoğan tha se Izraeli duhet t’i përmbahet plotësisht angazhimeve të tij.
“Është thelbësore që Izraeli të përmbushë premtimet e tij, të zbatojë plotësisht armëpushimin dhe të lejojë që jeta në Gaza të kthehet në normalitet”, tha presidenti turk.
"Problemi i sigurisë i krijuar nga Izraeli duhet të eliminohet. Türkiye nuk i shmanget kurrë përgjegjësive serioze”, shtoi ai.
Presidenti Erdoğan foli edhe lidhur me përpjekjet e Türkiyes për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), duke kërkuar nga blloku të miratojë një qasje strategjike.
“Do të ishte gjithashtu një fitim për Evropën t’i shikojë marrëdhëniet tona me një vizion strategjik. Hapat që vijnë nga Evropa do të formësojnë fazën tjetër të procesit”, tha ai.
Presidenti Erdoğan ishte në kryeqytetin Ashgabat të Turkmenistanit për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Paqes dhe Besimit.















