Demokratët në Komisionin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve publikuan të premten një seri të re fotografish nga pasuria e financierit të diskredituar Jeffrey Epstein.
“Është koha t’i jepet fund këtij fshehjeje nga Shtëpia e Bardhë dhe të vihet drejtësi për të mbijetuarit e Jeffrey Epsteinit dhe miqtë e tij të fuqishëm”, tha në një deklaratë Robert Garcia, demokrati kryesor i komisionit.
“Këto fotografi shqetësuese ngrenë edhe më shumë pyetje për Epsteinin dhe marrëdhëniet e tij me disa nga njerëzit më të fuqishëm në botë. Ne nuk do të ndalemi derisa populli amerikan ta marrë të vërtetën. Departamenti i Drejtësisë duhet t’i publikojë të gjitha dosjet, tani”, shtoi ai.
Koleksioni prej 19 fotografish është pjesë e një grupi shumë më të madh prej 95 mijë fotografish, të cilat iu dërguan komisionit me kërkesën e tij.
Fotografitë përfshijnë imazhe ku Epstein shihet me disa nga njerëzit më të pasur dhe më të fuqishëm në botë, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, aleatin e tij të vjetër politik Steve Bannon, regjisorin Woody Allen, si dhe avokatin proizraelit Alan Dershowitz.
Një nga fotografitë tregon Andrew Albert Christian Edward Mountbatten-Windsor, i njohur më parë si Princi Andrew i Mbretërisë së Bashkuar, duke parë Bill Gates.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se asnjë nga fotografitë nuk tregon ndonjë shkelje apo veprim të paligjshëm nga ana e Trumpit.
Një tjetër fotografi, ku Bill Clinton pozon me Epsteinin dhe bashkëpunëtoren e tij të dënuar Ghislaine Maxwell, shihet si e nënshkruar nga ish-presidenti amerikan.
Në disa fotografi, fytyrat e disa grave janë mbuluar me katrorë të zinj, përfshirë një grua që shihet pranë Trumpit në atë që duket të jetë një avion. Nuk është e qartë nëse të gjitha gratë, fytyrat e të cilave janë redaktuar, janë të mbijetuara të njohura të abuzimeve të Epsteinit, por demokratët e komisionit thanë se janë “të përkushtuar për mbrojtjen e identitetit të të mbijetuarve”.
Shqyrtimi i fotografive të mbetura është ende në vazhdim, ndërsa publikime të tjera priten në vijim.
Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, akuzoi demokratët e komisionit se po “publikojnë në mënyrë selektive fotografi të zgjedhura, me redaktime të rastësishme, për të krijuar një narrativë të rreme”.
“Gënjeshtra e demokratëve kundër Presidentit Trump është hedhur poshtë vazhdimisht dhe administrata Trump ka bërë më shumë për viktimat e Epsteinit sesa demokratët ndonjëherë, duke kërkuar vazhdimisht transparencë, duke publikuar mijëra faqe dokumentesh dhe duke kërkuar hetime të mëtejshme ndaj miqve demokratë të Epsteinit”, tha ajo në një deklaratë.





















