| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
BE-ja bie dakord t’i “ngrijë për një kohë të pacaktuar” asetet ruse
Blloku “vendosi të mbajë të ngrira për një kohë të pacaktuar asetet ruse”, duke siguruar që deri në 246 miliardë dollarë fonde ruse “të mbeten në territorin e BE-së”, tha Kaja Kallas.
BE-ja bie dakord t’i “ngrijë për një kohë të pacaktuar” asetet ruse
BE-ja bie dakord t’i “ngrijë për një kohë të pacaktuar” asetet ruse / AP
12 Dhjetor 2025

Bashkimi Evropian vendosi të premten të mbajë të ngrira për një kohë të pacaktuar asetet ruse të mbajtura në Evropë, njoftoi shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

“BE-ja sapo vendosi të mbajë të ngrira për një kohë të pacaktuar asetet ruse. Kjo siguron që deri në 210 miliardë euro (246 miliardë dollarë) fonde ruse të mbeten në territorin e BE-së, përveç nëse Rusia i paguan plotësisht reparacionet Ukrainës për dëmet e shkaktuara”, shkroi Kallas në X.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshëndeti vendimin, duke theksuar se ai dërgon një “sinjal të fortë” për Rusinë se kostot do të vazhdojnë të rriten për aq kohë sa lufta vazhdon.

“Në mbledhjen e tetorit të #EUCO (Këshilli Evropian), liderët e BE-së u angazhuan t’i mbajnë asetet ruse të ngrira derisa Rusia t’i japë fund luftës së agresionit kundër Ukrainës dhe të kompensojë dëmet e shkaktuara. Sot e përmbushëm këtë angazhim”, shkroi në X presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Vendimi vjen në një kohë kur blloku synon të sigurojë 90 miliardë euro për Ukrainën, qoftë përmes huamarrjes direkte, qoftë duke përdorur asetet ruse të ngrira nën sanksione në Euroclear.

Belgjika, e cila strehon Euroclearin, depozitarin kryesor të aseteve ruse të ngrira në BE, ka shprehur rezerva ndaj planit, nga frika se vendi mund të përballet me sfida ligjore dhe të mbajë përgjegjësi financiare i vetëm. Qeveria belge ka këmbëngulur për disa ndryshime në propozimin fillestar të Komisionit Evropian, për t’i kundërshtuar rreziqet e mundshme financiare dhe ligjore dhe për të mbrojtur më mirë Euroclearin.

Ndërkohë, Banka Qendrore e Rusisë tha të premten se planet e BE-së për t’i përdorur asetet e saj të ngrira janë të paligjshme dhe paralajmëroi se do ta sfidojë këtë propozim.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë