BOTA
2 minuta leximi
Opozita izraelite bashkohet në një forum të ri për ta planifikuar të ardhmen pas Netanyahut
Forumi do të krijojë një komitet për hartimin e parimeve thelbësore të një qeverie të ardhshme, që do të përfshijnë edhe përgatitjen e një kushtetute të re dhe ruajtjen e karakterit të Izraelit si një shtet "hebraik, demokratik dhe sionist".
Opozita izraelite bashkohet në një forum të ri për ta planifikuar të ardhmen pas Netanyahut
Opozita izraelite bashkohet në një forum të ri për ta planifikuar të ardhmen pas Netanyahut / Reuters
21 Shtator 2025

Udhëheqësit e partive opozitare të Izraelit kanë bërë të ditur se kanë krijuar një forum të përbashkët që synon forcimin e koordinimit politik kundër koalicionit qeverisës dhe përcaktimin e kornizës për një qeveri të ardhshme.

Njoftimi pasoi një takim midis udhëheqësit të opozitës, Yair Lapid, kreut të partisë Yisrael, Beiteinu Avigdor Lieberman, dhe figurave të tjera të opozitës si Gadi Eisenkot dhe Yair Golan.

Në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve, udhëheqësit thanë se ranë dakord ta bëjnë Forumin e Udhëheqësve të Partive një organ të përhershëm dhe ta mbajnë seancën e tyre të radhës menjëherë pas Ditës së Shlyerjes Hebraike (Yom Kippur), e cila fillon mbrëmjen e së mërkurës, 1 tetor dhe përfundon mbrëmjen e së enjtes, 2 tetor.

Sipas deklaratës, forumi do të krijojë një komitet të ngarkuar me hartimin e parimeve thelbësore të një qeverie të ardhshme, parime që do të përfshijnë përgatitjen e një kushtetute të re, zbatimin e parimit të shërbimit universal dhe ruajtjen e karakterit të Izraelit si një shtet "hebraik, demokratik dhe sionist".

Udhëheqësit e opozitës thanë gjithashtu se ish-kryeministri Naftali Bennett dhe udhëheqësi i partisë Blu dhe Bardhë, Benny Gantz, pritet të bashkohen në takimin e ardhshëm të forumit.

Deklarata theksoi se qëllimi kryesor i iniciativës është t'i "forcojë radhët brenda opozitës në përgatitje për fazën e ardhshme politike".