BOTA
3 minuta leximi
Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia njohin zyrtarisht Palestinën
"Përballë tmerrit në rritje në Lindjen e Mesme, ne po veprojmë për ta mbajtur gjallë mundësinë e paqes dhe zgjidhjes me dy shtete", tha Starmer me një video-deklaratë.
Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia njohin zyrtarisht Palestinën
Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia njohin zyrtarisht Palestinën / Reuters
21 Shtator 2025

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka deklaruar se vendi i tij njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës.

"Përballë tmerrit në rritje në Lindjen e Mesme, ne po veprojmë për të mbajtur gjallë mundësinë e paqes dhe zgjidhjes me dy shtete", tha Starmer video-deklaratë.

Ai tha se kjo do të thotë një Izrael i sigurt dhe i mbrojtur së bashku me një shtet të qëndrueshëm palestinez, duke shtuar se "për momentin, nuk kemi asnjërën”.

Në muajin korrik, kryeministri Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do ta njohë shtetin e Palestinës këtë shtator nëse qeveria izraelite nuk ndërmerr "hapa thelbësorë".

Kjo vjen pas presionit në rritje mbi qeverinë britanike për të njoftuar njohjen zyrtare.

Australia dhe Kanadaja gjithashtu njoftuan njohjen zyrtare të Palestinës sot më herët.

Më parë, Franca, Luksemburgu dhe Malta njoftuan plane të ngjashme për të njohur Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Përpara njoftimit, zëvendëskryeministri David Lammy i tha BBC-së se “tani është koha për të mbrojtur një zgjidhje me dy shtete”.

Ndërkohë, përpara njoftimit britanik, qeveria izraelite e quajti veprimin e Mbretërisë së Bashkuar “absurd”.

Australia: Njohim aspiratat legjitime të palestinezëve për një shtet të vetin

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka bërë të ditur se vendi i tij ka njohur zyrtarisht shtetësinë e Palestinës.

"Duke hyrë në fuqi sot, e diel, 21 shtator 2025, Komonuelthi i Australisë njeh zyrtarisht shtetin e pavarur dhe sovran të Palestinës", tha Albanese në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Albanese tha se me këtë veprim, Australia "njeh aspiratat legjitime dhe të kahershme të popullit të Palestinës për një shtet të vetin".

Njohja e Palestinës nga Canberra vjen së bashku me vendimin e Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, tha Albanese, duke shtuar se kjo është pjesë e një "përpjekjeje të koordinuar ndërkombëtare për të ndërtuar një moment të ri për një zgjidhje me dy shtete".

Kanada njeh shtetin e Palestinës, ofron partneritet për paqen në rajon

Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka njoftuar se vendi i tij e njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës, si dhe është zotuar për partneritet për të ndërtuar paqen midis Palestinës dhe Izraelit.

“Kanadaja njeh shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë në ndërtimin e premtimit të një të ardhme paqësore si për Shtetin e Palestinës ashtu edhe për Shtetin e Izraelit”, shkroi Carney në platformën sociale të kompanisë amerikane X përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Njoftimi vjen pas deklaratës së mëparshme të Kanadasë për qëllimin për të njohur Palestinën gjatë sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator të vitit 2025.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në Nju Jork fillon të martën dhe zgjat deri më 29 shtator.

Më parë, Kanadaja tha se "njeh të drejtën palestineze për vetëvendosje dhe mbështet krijimin e një shteti palestinez sovran, të pavarur, të qëndrueshëm, demokratik dhe territorialisht të afërt".