Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa deklaroi të hënën se rënia e regjimit të Bashar al-Assadit ka hapur “një fazë të re historike për rajonin”, duke theksuar se Siria sot ka “interesa reciprokisht të afërta me Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Duke folur në një sesion me titullin “East Stage: Demokracia, siguria dhe rreziku gjeopolitik” së bashku me ish-drejtorin e CIA-s David Petraeus në Samitin Vjetor Concordia 2025 në Nju Jork, Sharaa paralajmëroi se disa palë po përpiqen të “nxisin tensione sektare në Siri, ndërsa të tjera në tokën siriane po zgjidhin hesapet e tyre.”
“Zgjidhjet paqësore duhet të arrihen dhe të zbatohen shpejt, veçanërisht në përputhje me marrëveshjen me SDF-në të 10 marsit,” tha ai.
“Kufizimi i armëve vetëm në duart e shtetit është ajo që e mbron Sirinë nga konfliktet dhe trazirat”, theksoi Sharaa.
Sipas tij, Siria “i ka ofruar SDF-së që të integrohet në ushtrinë siriane, duke i siguruar ata se të drejtat kurde janë të garantuara, por nga ana e tyre ka pasur hezitim në zbatimin e marrëveshjes.”
Ai gjithashtu tha se Siria ka hedhur poshtë parimin e kuotave dhe ka miratuar parimin e partneritetit në formimin e qeverisë, duke siguruar që qeveria të jetë kompetente.
“Sirisë i nevojitet një shans i ri për jetë pasi presidenti Trump hoqi sanksionet, por Kongresi duhet të bëjë më shumë për t’i hequr ato përfundimisht,” tha presidenti al-Sharaa.