| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Rrezik i shtuar nga ortekët në Brezovicë, apel për kujdes ndaj vizitorëve
Reshjet e fundit të borës, të shoqëruara me erëra të forta, kanë ndikuar në formimin e akumulimeve që rrisin presionin mbi këto shtresa të dobëta.
Rrezik i shtuar nga ortekët në Brezovicë, apel për kujdes ndaj vizitorëve
Rrezik i shtuar nga ortekët në Brezovicë, apel për kujdes ndaj vizitorëve / Kosova Press
23 Janar 2026

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka paralajmëruar për rrezik të shtuar nga ortekët në zonën e Brezovicës, pas një incidenti të regjistruar së fundmi në një pjesë jashtë shtigjeve të rregulluara. 

Sipas njoftimit, personat e përfshirë në ngjarje kanë shpëtuar pa lëndime.

Ekspertët e shërbimit kanë evidentuar shtresa të paqëndrueshme të borës, veçanërisht në zonat ku shtresa bazë ndodhet mbi vegjetacion, çka krijon kushte të favorshme për shfaqjen e ortekëve. 

Reshjet e fundit të borës, të shoqëruara me erëra të forta, kanë ndikuar në formimin e akumulimeve që rrisin presionin mbi këto shtresa të dobëta.

Sipas vlerësimeve aktuale, kushtet janë të pafavorshme për lëvizje jashtë shtigjeve të sigurta, sidomos në zona malore me pjerrësi më të madhe, pa përjashtuar rrezikun edhe në orientime të tjera.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor u bën thirrje skitarëve dhe vizitorëve që të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin terrenet e pasigurta, të informohen për kushtet e motit dhe borës, të përdorin pajisje adekuate sigurie dhe të mos veprojnë individualisht në zona me rrezik të shtuar.