Türkiye ka dërguar nga qyteti bregdetar turk i Mersinit anijen e saj të gjashtë të quajtur “Anija e Mirësisë”, e cila transporton 2.600 tonë ndihma humanitare drejt Sudanit, duke vijuar përpjekjet për të ndihmuar njerëzit e prekur nga konflikti i vazhdueshëm në këtë vend afrikan.
Anija u përgatit nën koordinimin e Autoritetit Turk për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), në bashkëpunim me autoritetet vendore, organizatat e shoqërisë civile dhe Fondin e Katarit për Zhvillim.
Kreu i AFAD-it, Ali Hamza Pehlivan, tha se Türkiye nuk ka qëndruar pasive përballë krizës humanitare në Sudan, duke theksuar se dërgesat e mëparshme kanë përfshirë 5.500 tonë ndihma gjatë vitit 2024, si dhe 30.000 tenda të dërguara me tre anije vetëm muajin e kaluar.
Dërgesa e fundit përfshin ushqime, artikuj për kujdes personal, furnizime mjekësore dhe materiale për strehim. “Duke marrë parasysh se nevojat për strehim të personave të zhvendosur në Sudan arritën një nivel kritik në muajin dhjetor, ne nisëm dërgimin e anijeve të mirësisë më 7 dhjetor”, tha ai.
“Duke dërguar tre anije radhazi, u përpoqëm të mbështesim nevojat për strehim të vëllezërve dhe motrave tona atje”.
Pehlivan shtoi se ndihma humanitare e Türkiyes për Gazën vijon, duke bërë të ditur se anija e 20-të me ndihma pritet të niset javën e ardhshme dhe se deri më tani janë dërguar rreth 105.000 tonë ndihma.
Sudani është përfshirë në një konflikt të përgjakshëm mes ushtrisë dhe forcave paraushtarake të Njësive të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) që nga prilli i vitit 2023, konflikt që ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka zhvendosur miliona njerëz.
Nga 18 shtetet e Sudanit, RSF-ja tani kontrollon të pesta shtetet e rajonit Darfur, me përjashtim të disa zonave veriore të Darfurit të Veriut që mbeten nën kontrollin e ushtrisë.
Ushtria sudaneze vazhdon të dominojë pjesën më të madhe të 13 shteteve të mbetura në jug, veri, lindje dhe rajonet qendrore të vendit, përfshirë kryeqytetin Khartum.



















