Meta njoftoi të mërkurën se ka mbështetur përpjekjet globale të autoriteteve të zbatimit të ligjit për të shpërbërë rrjetet e mashtrimit në Azinë Juglindore, duke çaktivizuar më shumë se 150 mijë llogari të lidhura me qendra mashtrimi.
Në një deklaratë, kompania tha se ky veprim është ndërmarrë gjatë javës së kaluar me kontributin e Policisë Mbretërore të Tajlandës, Byrosë Federale të Hetimit dhe Njësisë së posaçme të Departamentit amerikan të Drejtësisë Kundër Qendrave të Mashtrimit.
Operacioni kishte në shënjestër qendrat e mashtrimit që synonin viktima në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende në rajonin e Azi-Paqësorit, tha kompania.
Qendra kundër mashtrimeve kibernetike e Policisë Mbretërore të Tajlandës ka arrestuar 21 persona të dyshuar për përfshirje në aktivitete mashtrimi gjatë aksionit.
Meta tha se kjo fushatë shënoi valën e dytë të përbashkët të zbatimit të ligjit që nga muaji dhjetor.
Ndërkohë, policia në Kamboxhia të mërkurën bastisi një qendër të dyshuar mashtrimi në internet që synonte viktima në Evropë, duke arrestuar 65 të dyshuar, përfshirë tetë drejtues të dyshuar kinezë, raportoi gazeta “South China Morning Post”.
Grupi dyshohet se përdorte fytyra të krijuara nga inteligjenca artificiale dhe thirrje video të drejtpërdrejta me skenar për t’u paraqitur si zyrtarë të zbatimit të ligjit nga Japonia dhe për të mashtruar viktimat që të dërgonin para.
“Mashtrimet në internet shkaktojnë dëm të vërtetë. Ato shkatërrojnë jetë, prishin besimin dhe janë të dizajnuara qëllimisht për t’i shmangur zbulimin dhe ndërprerjen”, theksoi Meta.
















