Komisioni Qendror Zgjedhor i Rumanisë hodhi poshtë të dielën kandidaturën e politikanit të pavarur Calin Georgescu, një kritik i ashpër i Perëndimit dhe NATO-s, për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të planifikuara për më 4 maj.
Georgescu ishte kandidati kryesor në raundin e parë të zgjedhjeve të anuluara të nëntorit 2024.
Përmes një komunikate, KQZ-ja e Rumanisë njoftoi se ka shqyrtuar aplikimet e katër kandidatëve të pavarur për zgjedhjet e përsëritura. Komisioni konfirmoi se kandidaturat e Georgescut dhe dy kandidatëve të tjerë të pavarur u refuzuan, ndërsa aplikimi i një kandidati u miratua.
Një shpjegim më i detajuar i vendimit pritet në një datë të mëvonshme.
Georgescu dënoi vendimin, duke pretenduar se Evropa ishte nën një "diktaturë" dhe paralajmëroi se "nëse demokracia bie në Rumani, e gjithë bota demokratike do të bjerë gjithashtu".
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, grupe të mëdha mbështetësish të Georgescut u mblodhën përpara selisë së KQZ-së në Bukuresht.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë përleshje mes protestuesve dhe policisë, me disa protestues që tentojnë ta çajnë kordonin e sigurisë.
Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të anuluara më 24 nëntor 2024, Georgescu fitoi rreth 22,95 për qind të votave dhe zuri vendin e parë, ndërsa Elena Lasconi e partisë së qendrës së djathtë Save Romania Union (USR) kaloi në raundin e dytë me 19,17 për qind.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese rumune më vonë anuloi rezultatet e zgjedhjeve.
Georgescu e kundërshtoi vendimin, por si Gjykata e Apelit e Bukureshtit ashtu edhe ajo Kushtetuese lanë në fuqi vendimin për anulimin e zgjedhjeve.
Votuesit rumunë do të shkojnë tani në kutitë e votimit më 4 maj për raundin e parë të zgjedhjeve të reja, me një raund të dytë të mundshëm që do të mbahet më 18 maj.