BOTA
3 minuta leximi
Protesta masive nëpër botë pas sulmit izraelit ndaj flotiljes së ndihmave për Gazën
Sulmet dhe ndalimi i anijeve të flotiljes Sumud nga marina izraelite kanë nxitur protesta të gjera në Türkiye dhe mbarë Evropën.
Protesta masive nëpër botë pas sulmit izraelit ndaj flotiljes së ndihmave për Gazën
Protesta masive nëpër botë pas sulmit izraelit ndaj flotiljes së ndihmave për Gazën / AA
2 Tetor 2025

Mijëra qytetarë të Türkiyes dhe Evropës kanë protestuar sulmet izraelite ndaj anijeve humantiare dhe arrestimin e 223 aktivisteve të Flotiljes Globale Sumud. 

Në Istanbul, qytetarët marshuan përpara konsullatave të Izraelit dhe ShBA-së për të protestuar kundër ndërhyrjes së Marinës izraelite ndaj Flotiljes Globale Sumud me destinacion Gazën, e cila synon të thyejë bllokadën izraelite të enklavës dhe të dorëzojë ndihma urgjentisht të nevojshme.

Ndërkaq, protesta të tjera shpërthyen edhe në kryeqytetin Ankara dhe nëpër qytete të tjera si: Bursa, Izmir, Adana, Samsun, Trabzon, Erzurum, Erzincan, Gaziantep, Kayseri, Sakarya.

Reagime të forta u shënuan edhe në qytetet evropiane. 

Në Romë, qindra protestues, mes tyre studentë dhe anëtarë të sindikatave bazë, u mblodhën në Piazza dei Cinquecento përpara Stacionit Termini.

Pjesëmarrësit bllokuan rrugët duke brohoritur “Le të bllokojmë gjithçka për Flotiljen dhe për Palestinën”. Policia mbylli stacionet e metrosë dhe kufizoi hyrjen në terminal. 

Në qytetin e Milanos, sulmi i marinës izraelite ndaj Flotiljes Globale Sumud u dënua me një marshim masiv. Pjesëmarrësit reaguan ndaj sulmit duke hedhur slogane kundër Izraelit.

Në Barcelonë, disa qindra persona u mblodhën përpara konsullatës izraelite për të dënuar ndërprerjen e flotiljes dhe për të shprehur solidaritet me palestinezët në Gaza.

Në Berlin po ashtu, dhjetëra protestues u mblodhën në Stacionin Qendror në mbështetje të flotiljes Sumud. Ndërkohë, në Bruksel, manifestuesit marshuan nga Place de la Bourse drejt Ministrisë së Jashtme belge.

Qytetarë të Athinës marshuan para Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, për të kundërshtuar sulmin e marinës izraelite ndaj Flotiljes Globale Sumud, e cila transportonte ndihma humanitare drejt Gazës.

Protesta të gjera u zhvilluan gjithashtu në Amerikën Latine, në Meksiko Siti, Bogota, Buenos Aires dhe Montevideo, ku mijëra njerëz shprehën solidaritet me Gazën.

Ndërkaq, qindra qytetarë të Jordanisë dhe Tunizisë marshuan rrugëve të qyteteve të ndryshme duke dënuar ashpër ndërhyrjen e marinës izraelite. 

Sulmohet flotilja

Organizatorët e Flotiljes Globale Sumud thanë se forcat detare izraelite bllokuan komunikimet përpara se të ndërprisnin konvojin në ujërat ndërkombëtare.

Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Rrethimit të Gazës (ICBSG) konfirmoi se trupat izraelite hipën në anijet Alma dhe Sirius.

Aktivistët postuan video në rrjetet sociale ku shfaqeshin anije izraelite duke iu afruar konvojit dhe duke urdhëruar anijet të ndryshonin kurs.

Flotilja, e ngarkuar me ndihma humanitare dhe furnizime mjekësore, ishte nisur në fund të gushtit dhe pritej të mbërrinte në brigjet e Gazës të enjten në mëngjes, në rrethana normale.

Kjo shënoi përpjekjen e parë pas shumë vitesh për të dërguar një konvoj kaq të madh ndihmash drejt Gazës, me rreth 50 anije që transportonin 532 mbështetës civilë nga mbi 45 vende.

2,4 milionë palestinezët e enklavës kanë qenë nën bllokadën izraelite për rreth 18 vjet.

BURIMI:TRT Balkan