Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, të hënën mori pjesë në Takimin e Dytë Ministror për Sigurinë dhe Ndërlidhjen Ndërrajonale në Bruksel, në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, bëjnë të ditur burime diplomatike.
Takimi mblodhi përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve nga rajoni i Detit të Zi, Kaukazi Jugor dhe Azia Qendrore, shkroi Fidan në platformën sociale turke NSosyal.
Gjatë takimit, Fidan mori pjesë edhe në një sesion me temë “Avancimi i angazhimeve për sigurinë në rajonin e Detit të Zi”, shtuan burimet.
Sipas Fidanit, gjatë diskutimeve në sesione dhe takimeve dypalëshe, pjesëmarrësit trajtuan rëndësinë e avancimit të projekteve të ndryshme të ndërlidhjes në mënyrë të koordinuar, me qëllim promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit ndërkombëtar.
Këto projekte përfshijnë Korridorin e Mesëm, Rrugën e Zhvillimit, Nismën e Tri Deteve dhe Kalimin Global, tha Fidan.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e pronësisë rajonale në garantimin e sigurisë në Detin e Zi dhe nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të Konventës së Montrosë për Ngushticat Turke.
- Bisedime dypalëshe dhe marrëdhëniet Türkiye-BE
Në margjinat e takimit, Fidan zhvilloi bisedime dypalëshe me ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Dan Neculaescu.
Fidan tha se bashkimi i kapaciteteve dhe përvojës plotësuese të Türkiyes dhe shteteve anëtare të BE-së në kuadër të një perspektive të përbashkët strategjike do t’u japë shtysë të re marrëdhënieve ekonomike dhe do t’u shërbejë interesave të të dyja palëve.
Ai rikonfirmoi gjithashtu përkushtimin e Türkiyes për të mbetur partner i fortë dhe i besueshëm në zbatimin e projekteve konkrete dhe afatgjata të ndërlidhjes.















