Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka pritur në takim ambasadorin e Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kagan Atay, në përmbyllje të misionit të tij në Shqipëri.
Në takimin të cilin ministri shqiptar e ka quajtur të veçantë, duke qenë se shënon takimin e parë dhe të fundit zyrtar midis tyre, Hoxha ka thënë se kanë nënvizuar forcën e partneritetit strategjik dhe angazhimin e përbashkët për mbajtjen e mbledhjes së radhës të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë.
“Qëllimi është zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fusha prioritare si ekonomia dhe tregtia, por edhe në siguri, mbrojtje, teknologji dhe edukim, për përfitime konkrete dhe mundësi afatgjata për të dy vendet”, ka thënë Hoxha.
Tutje, Hoxha ka bërë të ditur se me ambasadorin Atay gjithashtu kanë shkëmbyer pikëpamje mbi sigurinë rajonale dhe kanë diskutuar zhvillimet e fundit në Ukrainë, Iran dhe Lindjen e Mesme.
“Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Türkiyen gjatë këtyre kohërave sfiduese, duke ritheksuar mbështetjen dhe unitetin tonë si partnerë dhe aleatë në NATO”, ka thënë Hoxha në këtë takim.




















