| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Erdoğan pret kryediplomatët e rajonit, vlerëson rolin e tyre në Platformën e Paqes së Ballkanit
Presidenti turk theksoi rëndësinë e faktit që në takim u trajtuan shumë tema, si siguria kufitare, energjia, teknologjia dhe transporti, si dhe rëndësinë e konsultimeve të zhvilluara me një qasje të pronësisë rajonale.
Erdoğan pret kryediplomatët e rajonit, vlerëson rolin e tyre në Platformën e Paqes së Ballkanit
Erdoğan pret kryediplomatët e rajonit, vlerëson rolin e tyre në Platformën e Paqes së Ballkanit / Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes / X
23 Janar 2026

Presidenti i Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, priti sot në Istanbul kryediplomatët e rajonit pas përfundimit të takimit të dytë të Platformës së Paqes së Ballkanit.

Presidenti Erdoğan falënderoi përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse për kontributet e tyre.

Gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe të vendeve përkatëse me Türkiyen, si dhe çështjet rajonale, bëri të ditur Drejtoria e Komunikimeve Presidenciale të Türkiyes. 

Presidenti turk theksoi rëndësinë e faktit që në takim u trajtuan shumë tema, si siguria kufitare, energjia, teknologjia dhe transporti, si dhe rëndësinë e konsultimeve të zhvilluara me një qasje të pronësisë rajonale.

Erdoğan vuri në dukje se bota dhe rajoni po përballen me sfida të ndryshme dhe se forcimi i solidaritetit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet vendeve anëtare të Platformës së Paqes së Ballkanit po fiton rëndësi në këtë proces.

Ai tha gjithashtu se Türkiye po bën përpjekje për të reduktuar dhe për t’u dhënë fund pasojave të paqëndrueshmërisë në rajon, se po vazhdojnë përpjekjet e orientuara drejt paqes në shumë zona, veçanërisht në Ukrainë, Gaza dhe Siri, dhe se edhe në Ballkan është e domosdoshme të veprohet me një qasje që nxjerr mësime nga dhimbjet e së kaluarës dhe synon të ardhmen.

Në takim morën pjesë ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donica Gërvalla-Schwarz, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucinski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, si dhe zëvendësministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviq.

Po ashtu, të pranishëm me presidentin turk ishin ministri i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, drejtori i Komunikimit i Presidencës, Burhanettin Duran, këshilltari Kryesor i Presidentit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Akif Çağatay Kılıç, si dhe këshilltari i Presidentit, Sabri Demiri.

BURIMI:TRT Balkan