| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Pakistani kryen sulme të reja brenda Afganistanit
Islamabadi pretendon se janë goditur instalime ushtarake dhe infrastrukturë mbështetëse teknike.
Pakistani kryen sulme të reja brenda Afganistanit
Pakistani kryen sulme të reja brenda Afganistanit / Reuters
3 orë më parë

Pakistani tha të dielën se forcat e tyre kryen gjatë natës sulme të reja brenda Afganistanit, duke pretenduar se kanë goditur me sukses instalime ushtarake, përfshirë “strehë të terroristëve”, ndërsa tensionet mes dy vendeve fqinje janë përshkallëzuar.

Televizioni shtetëror i Pakistanit raportoi se ushtria ka shkatërruar në mënyrë “efektive” infrastrukturë mbështetëse teknike dhe një depo pajisjesh në provincën jugore Kandahar, të cilat sipas Islamabadit përdoreshin “nga talebanët afganë dhe terroristët kundër civilëve të pafajshëm pakistanezë”.

Në një tjetër sulm, forcat pakistaneze goditën “me sukses” një tunel në Kandahar ku ndodheshin pajisje teknike të talebanëve afganë dhe të “Fitna al-Khawarij”, një term që Islambadi përdor për të përshkruar talebanët pakistanezë.

Islamabadi paralajmëroi se operacioni “Furia e Drejtë” do të vazhdojë derisa talebanët afganë të adresojnë shqetësimet kryesore të sigurisë së Pakistanit.

Nuk pati reagim të menjëhershëm nga Kabuli ndaj pretendimeve të Islamabadit.

Sulmet erdhën një ditë pasi forcat afgane kryen të premten një operacion përgjatë kufirit Pakistan–Afganistan, i njohur si Linja Durand, në zonat lindore të provincave Kunar dhe Nangarhar.

Ushtria pakistaneze tha se dronë të thjeshtë afganë u interceptuan në tre vende të ndryshme në vend, duke lënë të paktën katër persona të plagosur, përfshirë dy fëmijë.

Marrëdhëniet mes Afganistanit dhe Pakistanit janë përkeqësuar javët e fundit, me tensione në rritje përgjatë kufirit muajin e kaluar që kanë shkaktuar viktima dhe dëme materiale.

Rreth 99 persona nga të dyja palët janë vrarë në përleshje, përfshirë 13 ushtarë dhe një civil në Pakistan, si dhe 13 ushtarë dhe 72 civilë në Afganistan.

Sipas të dhënave të OKB-së, 185 viktima civile, përfshirë 56 të vdekur nga zjarri indirekt dhe sulmet ajrore, janë raportuar në Afganistan mes 26 shkurtit dhe 5 marsit.

Pakistani, i cili thotë se synon vetëm terroristët, akuzon Afganistanin se u ofron strehë militantëve që sulmojnë territorin e tij, ndërsa Kabuli i mohon këto akuza.

Në një zhvillim të lidhur me këtë çështje, Pakistani të dielën hodhi poshtë deklaratat e Ministrisë së Jashtme të Indisë lidhur me atë që Islambadi e quajti “veprime legjitime, të shënjestruara dhe të sakta kundër strehëve të terroristëve dhe bazave mbështetëse brenda Afganistanit”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme pakistaneze, Tahir Andrabi, tha në një deklaratë se “mbështetja dhe sponsorizimi aktiv i Indisë për grupe terroriste që veprojnë nga territori afgan janë të njohura”.

“Prandaj, frustrimi i Indisë për shkatërrimin e rrjetit të saj terrorist në Afganistan, siç pasqyrohet në këto deklarata, është plotësisht i kuptueshëm”, shtoi ai.

India të shtunën dënoi sulmet ajrore të Pakistanit në territorin afgan, duke theksuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i Afganistanit duhet të respektohen plotësisht.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë