“Një stuhi e përkryer humanitare” - kështu e përshkruan Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) situatën në Gaza, ku punonjësit e ndihmave përballen me të njëjtën uri dhe frikë si njerëzit që përpiqen të ndihmojnë.
Ky paralajmërim vjen teksa lufta e Izraelit po hyn në vitin e saj të tretë, pas asaj që organizatat humanitare e përshkruajnë si viti më vdekjeprurës ndonjëherë për punonjësit humanitarë dhe viti 2025 po ndjek të njëjtën rrugë.
“Viti i kaluar ishte më vdekjeprurësi për kolegët tanë të vrarë nga organizata të ndryshme, po flasim për qindra persona”, tha për Anadolu zëdhënësi i IFRC-së, Tommaso Della Longa. “Fatkeqësisht, shumica janë nga Gaza, Bregu Perëndimor dhe Sudani. Dhe 2025 tashmë po ndjek të njëjtin trend.”
Sipas bazës së të dhënave Aid Worker Security Database, deri më 14 gusht 2025, ishin vrarë të paktën 265 punonjës ndihmash në mbarë botën, duke iu afruar shifrës së 383 viktimave të vitit të kaluar.
Të dhënat e fundit nga OKB-ja tregojnë se forcat izraelite kanë vrarë të paktën 562 punonjës humanitarë në Gaza gjatë dy viteve të fundit përfshirë 376 punonjës të OKB-së dhe 54 anëtarë e vullnetarë të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.
Me dhunën ndaj punonjësve humanitarë që ka arritur nivele rekord, IFRC-ja paralajmëron se Gaza është në qendër të një fenomeni që rrezikon të normalizojë sulmet ndaj punonjësve humanitarë.
“Rreziku është që të normalizohet diçka që nuk duhet të normalizohet kurrë,” tha Della Longa, duke theksuar se njerëzit që ia kushtojnë jetën shpëtimit të të tjerëve po sulmohen, vriten, plagosen e arrestohen.
Jetë me uri dhe mjerim
Brenda Gazës, ku OKB-ja zyrtarisht shpalli urinë në fund të gushtit, situata është rrëqethëse. Punonjësit e ndihmave tregojnë histori tronditëse: fëmijë që dërgohen në gjumë për të harruar urinë, apo prindër që ruajnë një copë buke gjithë ditën për ta dhënë fëmijës në mbrëmje.
“Një koleg më tregoi çfarë do të thotë të jetosh me uri: ëndërron për ushqim që nuk e ke, dhe kur më në fund gjen një copë buke, e ruan për fëmijën tënd”, tha Della Longa.
“Pastaj, pasi ia jep, duhet t’i kërkosh falje dhe t’i thuash të presë për më shumë, sepse nuk ke më asgjë. Si baba, kjo më tronditi thellë.”
Mjekët dhe infermierët në Gaza punojnë pa pushim, shpesh pa ushqim e pa kushte bazike, duke duruar humbje personale dhe dhimbje të pafundme, ndërsa përpiqen të shpëtojnë jetë nën sulmet e vazhdueshme izraelite.
“Nuk kishte kush t’i zëvendësonte… as për disa ditë. U vranë, nuk u mbrojtën, dhe tani nuk dinë as si të sigurojnë një vakt gjatë ditës”, tha ai. “Dobësimi i mjekëve dhe infermierëve do të thotë dobësim i tërë komuniteteve.”
Zëdhënësja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Carla Drysdale, theksoi se sulmet ndaj spitaleve, ambulancave dhe stafit mjekësor kanë shkatërruar sistemin shëndetësor të Gazës dhe kanë vrarë e plagosur mijëra punonjës shëndetësorë.
Të dy organizatat theksojnë se pa mbrojtje dhe qasje humanitare, ndihma në Gaza do të mbetet e paralizuar.
Mosndëshkimi një herë rrezikon mosndëshkim kudo
Në dy vitet e fundit, Izraeli ka vrarë më shumë se 67.000 palestinezë në Gaza, shumica gra e fëmijë dhe ka plagosur gati 170.000 të tjerë, sipas të dhënave të autoriteteve palestineze të konfirmuara nga OKB-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Një komision hetimor i pavarur i OKB-së konkludoi muajin e kaluar se Izraeli po kryen gjenocid në enklavë, ku rrethimi i plotë dhe bllokada ndaj ushqimit, ujit e ilaçeve ka shkaktuar uri që ka vrarë mbi 450 palestinezë, përfshirë më shumë se 150 fëmijë.
Në fillim të gushtit, ekspertët e OKB-së paralajmëruan se shkatërrimi i qëllimshëm i sistemit shëndetësor të Gazës nga Izraeli përbën një formë të “medicidit” - vrasje përmes shkatërrimit të kujdesit mjekësor.
Në një deklaratë, raportueset speciale të OKB-së Tlaleng Mofokeng dhe Francesca Albanese thanë se Izraeli po “sulmon qëllimisht dhe po urit” punonjësit shëndetësorë, paramedikët dhe spitalet për të zhdukur kujdesin mjekësor në territorin e rrethuar.
“Së bashku me gjenocidin në zhvillim, po jemi dëshmitarë të një ‘medicidi’ – një komponent i errët i krijimit të qëllimshëm të kushteve për shkatërrimin e palestinezëve në Gaza, që përbën akt gjenocidi,” thanë ekspertet.
Della Longa paralajmëroi se errozioni i respektit ndaj punonjësve humanitarë nuk është më i kufizuar vetëm në zonat e luftës.
“Para 10 vitesh, një diskutim i tillë do të ishte i paimagjinueshëm – askush nuk sulmonte humanitarët. Tani, ky trend është përhapur gjerësisht dhe është thellësisht shqetësues.”
Ai kërkoi zbatim të ligjeve ekzistuese dhe mekanizma për t’i dhënë fund mosndëshkimit.
“Nëse ka mosndëshkim një herë, do të thotë se do të ketë mosndëshkim kudo. Ky është një precedent që nuk mund ta pranojmë,” theksoi ai.
“Çështja është vullneti politik. Humanitarët duhet të bëjnë punën e tyre, ndërsa qeveritë duhet të marrin përgjegjësinë që u takon.”
Ai përfundoi me një lutje:
“Mos qëlloni ndaj Kryqit të Kuq. Mos qëlloni ndaj humanitarëve. Mos qëlloni ndaj njerëzve që po shpëtojnë jetë dhe po lehtësojnë vuajtjen.”






















