Numri i personave të arrestuar gjatë grevës dhe protestave që po vazhdojnë sot në gjithë Francën është rritur në gati 100 në vetëm pesë orë, sipas transmetuesit BFM TV.
Arrestimet në gjithë vendin tani janë 99, me 15 në rajonin e Parisit, nga 30 në orët e para të protestave të udhëhequra nga sindikatat. Dy persona, një gazetar dhe një zyrtar policie janë plagosur gjatë përleshjeve midis protestuesve dhe policisë në Lion, ku janë hedhur objekte zjarri drejt policisë.
Rreth 50 protestues hynë shkurtimisht në kompleksin e Ministrisë së Ekonomisë përpara se të largoheshin disa minuta më vonë. Duke iu bashkuar marshimit në Paris, sekretarja e përgjithshme e sindikatës CGT, Sophie Binet tha se mobilizimi është "tashmë një sukses", duke përmendur pjesëmarrjen e mbi 400 mijë personave.
Njëzet e tre shkolla janë bllokuar plotësisht këtë mëngjes, me 52 që përballen me bllokada të pjesshme, ndërsa rreth 17 për qind e mësuesve janë në grevë, sipas Ministrisë së Arsimit.
Autoritetet raportuan 13 mijë protestues në Marsejë dhe 20 mijë në Lion në mesditë.
Ministri i Brendshëm në largim, Bruno Retailleau, u tha gazetarëve se bllokadat "janë më pak intensive se sa pritej për pjesën e parë të ditës". I organizuar nga sindikatat kryesore franceze, mobilizimi vjen në përgjigje të propozimeve kontroverse të buxhetit të paraqitura nga ish-kryeministri, Francois Bayrou.
Retailleau deklaroi të mërkurën se pritet një mobilizim "shumë, shumë i fortë" në sektorë të ndryshëm, përfshirë shërbimet publike, arsimin, transportin, bujqësinë, industrinë dhe argëtimin.
Për sigurinë gjatë protestave, Ministria e Brendshme do të vendosë mbi 80 mijë policë dhe xhandarë në gjithë vendin, së bashku me automjete të blinduara, dronë dhe topa uji.
Retailleau paralajmëroi se autoritetet do të veprojnë shpejt kundër çfarëdo trazire.
Për herë të parë që nga protestat e "Jelekëve të Verdhë", 24 automjete të blinduara "Centaure" do të vendosen nëpër Francë, së bashku me rreth 10 pajisje për goditje me ujë.
Rreth 40 marshime sindikatash janë planifikuar në gjithë vendin, me parashikime fillestare që tregojnë se deri në 800 mijë demonstrues mund të marrin pjesë.
Aksioni i sotëm vjen pas mobilizimit nën moton "Blloko gjithçka" javën e kaluar, që tërhoqi afërsisht 197 mijë njerëz në gjithë Francën.
Plani kontrovers i buxhetit kombëtar
Franca po përballet me tensione politike në rritje pasi Bayrou humbi një votëbesim në Asamblenë Kombëtare më 8 shtator.
Bayrou, i cili zbuloi një kuadër buxhetor për vitin 2026 në korrik, kërkonte mbështetje për një plan për të kursyer gati 44 miliardë euro si pjesë e përpjekjeve për të ulur borxhin publik në rritje të Francës, i cili tani është 113 për qind e PBB-së së saj.
Presidenti francez Emmanuel Macron emëroi ministrin e Forcave të Armatosura Sebastien Lecornu si kryeministrin e ri të vendit. Ai është ngarkuar me detyrën e mbajtjes së konsultimeve me partitë politike përpara se të formojë qeverinë e tij.
Franca ka një nga deficitet më të mëdha buxhetore të Bashkimit Evropian me 5,8 për qind të PBB-së. Negociatat për buxhetin kanë qenë një burim i madh tensionesh në politikën franceze.
Dështimi për të arritur marrëveshje për buxhetin e vitit 2025 vitin e kaluar çoi gjithashtu në rrëzimin e qeverisë së Michel Barnierit në dhjetor, pasi partitë e krahut të majtë dhe të ekstremit të djathtë u bashkuan pas një mocioni mosbesimi.