Pritet që 178 gigavatë kapacitet i ri i energjisë së erës të vihet në funksion në Evropë deri në vitin 2030, duke e çuar kapacitetin total në 441 gigavatë.
Sipas të dhënave të përpiluara nga Anadolu nga Shoqata Evropiane e Energjisë së Erës "WindEurope", 133 gigavatë nga kapaciteti total që do të shtohet do të vijnë nga 27 shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE).
Me shtimin e 6,8 gigavatëve të kapacitetit të energjisë së erës në gjashtë muajt e parë të këtij viti, kapaciteti total i instaluar i energjisë së erës në Evropë arriti në 291 gigavatë. Prej tyre 254 gigavatë janë tokësore dhe 37 gigavatë në det të hapur.
Me shtimin e 178 gigavatëve energji ere në Evropë nga tani deri në vitin 2030, kapaciteti total i energjisë së erës do të arrijë në 441 gigavatë. Nga kjo, 361 gigavatë do të jetë tokësore dhe 80 gigavatë në det të hapur.
Investimi prej 34 miliardë eurosh nuk dha efektin e dëshiruar
Pavarësisht se 34 miliardë euro u investuan në energjinë e erës në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke tejkaluar investimin total të bërë vitin e kaluar, energjia e erës nuk po përparon me ritmin e dëshiruar në Evropë.
Proceset e lejeve për projektet konsiderohen si një nga pengesat më të mëdha për zgjerimin e energjisë së erës në të gjithë Evropën.
Sipas raportimit, ritmi më i ngadaltë se sa pritej i elektrifikimit po ndikon negativisht në perspektivën e energjisë së erës në Evropë.
Rrjetet elektrike janë thelbësore për investimet në energjinë e rinovueshme
Modernizimi i rrjeteve të energjisë elektrike dhe përshtatja e tyre për instalimet e energjisë së rinovueshme është i rëndësishëm për rritjen e kapacitetit të të gjitha burimeve të energjisë së rinovueshme, përfshirë energjinë e erës.
Sipas "WindEurope", rrjetet e energjisë elektrike nuk po zgjerohen ose modernizohen mjaftueshëm shpejt. Pasiguria rreth orareve të tenderëve të ardhshëm dhe mekanizmat e mbështetjes të projektuar dobët po shkaktojnë gjithashtu vonesa në instalim.
Ndërkohë, zinxhiri i furnizimit me energji të erës në det të hapur në Evropë po përballet me një periudhë sfiduese. Portet po përpiqen të rrisin kapacitetin e tyre, duke e bërë të vështirë transportimin e pajisjeve në shkallë të gjerë.
Investimet në energjinë e erës në tokë parashikohet të vazhdojnë të përbëjnë shumicën e instalimeve deri në vitin 2030.