Udhëheqësit e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) dhe të Ligës Arabe, të mbledhur në një samit të jashtëzakonshëm të përbashkët në Doha, dënuan fuqishëm sulmin e fundit të Izraelit ndaj Katarit, duke e quajtur atë një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe një kërcënim për paqen e sigurinë rajonale.
Në një komunikatë të lëshuar pas takimit të së hënës, liderët shprehën “solidaritet të plotë me shtetin vëlla të Katarit”, duke theksuar se sulmi i 9 shtatorit ndaj zonave të banuara në Doha, ku u vranë civilë, përfshirë një shtetas katarias, ishte “një agresion i paligjshëm dhe qyqar” që gjithashtu shënjestroi shkolla, misione diplomatike dhe akomodime të dedikuara për delegacionet ndërmjetësuese.
Samiti deklaroi se sulmi nuk ishte vetëm një agresion ndaj Katarit, por “një sulm ndaj të gjitha shteteve arabe dhe myslimane”. Mes tjerash pjesëmarrësit në samit e akuzuan Izraelin se po përpiqet të minojë rolin kyç të Katarit si ndërmjetës në bisedimet për armëpushim dhe lirimin e pengjeve të lidhura me Gazën.
Shtetet anëtare ripohuan mbështetjen për sovranitetin dhe sigurinë e Katarit, duke rinovuar gjithashtu thirrjet për t’i dhënë fund ofensivës ushtarake izraelite në Gaza dhe duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që ta mbajë Izraelin përgjegjës për krime lufte, bllokadën dhe zgjerimin e vendbanimeve.
Komunikata shkoi edhe më tej, duke u bërë thirrje shteteve të marrin të gjitha masat e mundshme ligjore dhe efektive për të penguar Izraelin të vazhdojë veprimet kundër popullit palestinez, përfshirë vendosjen e sanksioneve, ndalimin e transferimit të armëve dhe materialeve ushtarake dhe nisjen e procedurave ligjore kundër tij. Samiti i bëri gjithashtu thirrje vendeve anëtare të OBI-së të shqyrtojnë anëtarësimin e Izraelit në OKB, duke cituar shkeljet e vazhdueshme të Kartës dhe rezolutave të OKB-së, dhe të koordinojnë përpjekjet për pezullimin e këtij anëtarësimi.
Udhëheqësit ripohuan rëndësinë e respektimit të legjitimitetit ndërkombëtar dhe rezolutave të OKB-së, duke theksuar se paqja dhe siguria nuk mund të arrihen përderisa Izraeli vazhdon zgjerimin e vendbanimeve dhe projektet e “shfarosjes” në Bregun Perëndimor të pushtuar, si dhe përpjekjet për të shtrembëruar imazhin e shteteve arabe e myslimane përmes islamofobisë.
Komunikata gjithashtu u dha mandat shteteve të OBI-së që janë palë të Statutit të Romës të Gjykatës Ndërkimbëtare Penale (GjNP) të marrin të gjitha masat e mundshme për të mbështetur zbatimin e urdhërarresteve të lëshuara nga gjykata ndaj atyre që janë përgjegjës për krime ndaj popullit palestinez.
Ajo u bëri thirrje gjithashtu shteteve anëtare të përdorin përpjekje diplomatike, politike dhe ligjore për të siguruar që Izraeli të respektojë detyrimet e detyrueshme, përfshirë masat e përkohshme të urdhëruara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në janar 2024 në lidhje me rastin për gjenocidin në Gaza.
Samiti mirëpriti Konferencën e ardhshme për Zgjidhjen me dy shtete në Nju Jork, e bashkëkryesuar nga Arabia Saudite dhe Franca, si një hap drejt njohjes më të gjerë të një shteti palestinez me Jeruzalemin Lindor të pushtuar si kryeqytet.
Udhëheqja e Katarit u lavdërua për “qëndrimin e mençur dhe përgjegjshëm” përballë sulmit, ndërsa samiti paralajmëroi se çdo kërcënim i mëtejshëm ndaj shteteve arabe ose myslimane nga Izraeli do të shihet si një përshkallëzim i rrezikshëm që kërkon një përgjigje të fortë ndërkombëtare.