BOTA
3 minuta leximi
Liderët europianë mirëpresin masat e propozuara nga BE-ja kundër Izraelit
Blloku zbulon planet për uljen e nivelit të marrëdhënieve tregtare me Izraelin dhe sanksionimin e zyrtarëve të lartë, duke shënuar një ndryshim të madh në qasjen ndaj Tel Avivit.
Liderët europianë mirëpresin masat e propozuara nga BE-ja kundër Izraelit
Liderët europianë mirëpresin masat e propozuara nga BE-ja kundër Izraelit / AA
11 orë më parë

Liderët europianë mirëpritën masat e propozuara të mërkurën nga Komisioni Evropian kundër Izraelit.

“Mirëpres propozimet e Komisionit Evropian për pezullimin e disa dispozitave tregtare të Marrëveshjes së Asociimit me Izraelin dhe për sanksionet ndaj ministrave ekstremistë dhe kolonëve të dhunshëm, si dhe ndaj Hamasit. Tani është detyrë e shteteve anëtare të vendosin”, shkroi Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, në platformën X.

Ai theksoi se masat nuk janë të drejtuara kundër popullit izraelit, por synojnë të tregojnë se Europa “nuk mund të pranojë veprimet e qeverisë izraelite në Gaza dhe në Bregun Perëndimor.”

Costa vuri në dukje se veprimet e Tel Avivit kanë shkuar “shumë përtej” të drejtës së tyre legjitime për vetëmbrojtje.

“Situata në Gaza është katastrofike dhe e papranueshme. Një armëpushim i menjëhershëm është urgjent. Duhet të rivendoset plotësisht qasja humanitare. Të gjitha pengjet duhet të lirohen pa kushte”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Harris, gjithashtu mirëpriti këtë propozim si “shumë të rëndësishëm,” duke treguar për “gjenocidin që po ndodh në Gaza” dhe duke ritheksuar nevojën urgjente për veprim.

“Izraeli po kryen gjenocid ndaj palestinezëve, siç konfirmoi dje një komision i pavarur hetues i OKB-së. Europa duhet të veprojë tani!” shkroi Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, në X, duke shprehur mbështetje për propozimet.

Duke theksuar se Suedia prej kohësh ka kërkuar që BE-ja të ofrojë “propozime konkrete” për të ushtruar presion ndaj qeverisë izraelite, Ministrja e Jashtme Maria Malmer Stenergard gjithashtu mirëpriti njoftimin e Komisionit.

“Suedia nuk mund të zgjidhë konfliktet në Lindjen e Mesme vetëm, por duke e shtyrë përpara dhe duke bashkëpunuar me shtetet e tjera anëtare të BE-së për të arritur vendime të përbashkëta, ne mund të bëjmë ndryshim të vërtetë. Nevojitet një armëpushim i menjëhershëm dhe një përfundim i qëndrueshëm i armiqësive; të gjitha pengjet e mbetura duhet të lirohen dhe vuajtjet në Gaza duhet të përfundojnë,” tha ajo në X.

Komisionerja e BE-së për Barazi, Përgatitje dhe Menaxhim Krizash, Hadja Lahbib, theksoi se Komisioni tani po “shkallëzon veprimet” dhe bëri thirrje që edhe të tjerët të veprojnë po ashtu.

“Tani është koha që edhe të tjerët të veprojnë dhe të mbrojnë Ligjin Humanitar Ndërkombëtar. Kjo është detyrë e ÇDO NJERIUT,” tha Lahbib në X.

Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, zbuloi të mërkurën planet për uljen e nivelit të marrëdhënieve tregtare me Izraelin dhe për sanksionimin e zyrtarëve të lartë për shkak të gjetjeve mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Gaza, duke shënuar një ndryshim të madh në qasjen e bllokut ndaj Tel Avivit. 

 Marosh Shefçoviq komisioneri europian për tregti dhe siguri ekonomike, tha se propozimi synon dispozitat kyçe të Marrëveshjes Euro-Mesdhetare, duke përfshirë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, prokurimin publik, konkurrencën dhe pronësinë intelektuale.

“Në praktikë, kjo do të thotë se importet nga Izraeli në BE do të humbasin aksesin preferencial në tregun e BE-së, dhe këto mallra do të tatohen sipas nivelit të aplikuar për çdo vend të tretë me të cilin BE-ja nuk ka marrëveshje tregtare të lirë,” tha ai në një konferencë shtypi në Bruksel.

Komisioni gjithashtu njoftoi sanksione ndaj grupit të rezistencës palestineze Hamas, ministrave ekstremistë të kabinetit izraelit dhe kolonëve të dhunshëm. Tani Këshilli Europian duhet të miratojë vendimin me unanimitet.