| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Mbahet protestë kundër vrasjeve të fundit në Kosovë
"Ashpërsim i ligjeve për bartësit e armëve pa leje", "Shteti që s'mbron jetën, ka dështuar", "Ndal vrasjeve dhe gjakderdhjeve në Kosovë", ishin disa prej mesazheve që përçuan protestuesit.
00:00
Mbahet protestë kundër vrasjeve të fundit në Kosovë
Mbahet protestë kundër vrasjeve të fundit në Kosovë / AA
 

Një grup qytetarësh ka mbajtur protestë duke parakaluar në sheshet e Prishtinës, për ta shprehur indinjatën për sigurinë në vend me vrasjet e fundit.

Vrasjet e fundit, sidomos ajo e zyrtarit policor në Kaçanik, kanë shtyrë shoqatën "Roja e Kohës" të organizojë protestë duke kërkuar reagim urgjent nga institucionet për "ndaljen e menjëhershme të këtyre rasteve".

"Ashpërsim i ligjeve për bartësit e armëve pa leje", "Shteti që s'mbron jetën, ka dështuar", "Ndal vrasjeve dhe gjakderdhjeve në Kosovë", ishin disa prej mesazheve që përçuan protestuesit.

Kryetari i Shoqatës "Roja e Kohës", Shaip Murseli, tha se nuk do të ndalen derisa të përmirësohet gjendja e sigurisë në Kosovë. Ai kërkoi llogari nga institucionet për gjendjen, sipas tij, të brishtë të sigurisë dhe ndërmarrjen e veprimeve për t'i parandaluar më tej vrasjet.

"Tani i kemi institucionet, i kemi të gjitha, por ne vetëm duhet të bashkohemi dhe ta luftojmë të keqen, për ta zhdukur", theksoi Murseli.

Në Kosovë së fundmi brenda 10 ditësh ndodhën pesë vrasje. Më 1 prill një zyrtar policor u vra në hyrje të ndërtesës ku ai banonte në Kaçanik.

Sipas Policisë, viktima ishte gjetur i plagosur rëndë më pas u transportua për në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, por nuk arriti t'u mbijetonte plagëve. Rrethanat dhe motivet e kësaj vrasjeje nuk janë zbardhur ende nga autoritetet.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë