| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Kosova dhe Kanadaja synojnë forcimin e marrëdhënieve bilaterale
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, takimi u mbajt në Shtëpinë e Kosovës në Davos, ndërsa palët biseduan për shkëmbimin tregtar dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kosova dhe Kanadaja synojnë forcimin e marrëdhënieve bilaterale
Kosova dhe Kanadaja synojnë forcimin e marrëdhënieve bilaterale / AA
20 Janar 2026

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Davos me ministrin e Promovimit të Eksportit, Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit Ekonomik të Kanadasë, Maninder Sidhu, ku u diskutua për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, takimi u mbajt në Shtëpinë e Kosovës në Davos, ndërsa palët biseduan për shkëmbimin tregtar dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua industrisë minerare, duke u përmendur edhe pjesëmarrja e Kosovës në Konferencën Botërore për Hulumtim dhe Shfrytëzim të Mineraleve (PDAC 2025), e mbajtur vitin e kaluar në Toronto.

Po ashtu, në takim u theksua potenciali për thellimin e bashkëpunimit në sektorët e infrastrukturës, teknologjisë së informacionit dhe mbrojtjes.

Ky ishte takimi i parë mes kryeministrit Kurti dhe ministrit Sidhu. Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë ndaj Kosovës në proceset shtetndërtuese, për angazhimin e kontigjentit kanadez në kuadër të KFOR-it, si dhe për përkrahjen e Kanadasë në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë