Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka theksuar rëndësinë e përshpejtimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), duke deklaruar se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe se qytetarët e rajonit nuk duhet të lihen më gjatë në pritje të anëtarësimit.
Duke folur për gazetarët para fillimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Mickoski tha se, në rrethanat aktuale gjeopolitike, zgjerimi i BE-së është më i rëndësishëm se kurrë.
“Ne jemi porta e Evropës. Ballkani Perëndimor është porta e Evropës. Ju lutem, mos e nënvlerësoni potencialin e Ballkanit Perëndimor, sepse Ballkani Perëndimor është porta e Evropës dhe është pjesë e saj”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se vendet e rajonit i përkasin Evropës, ndërsa shprehu pakënaqësinë e qytetarëve për pritjen e gjatë në procesin e integrimit evropian.
“Ne i përkasim Evropës. Prandaj, qytetarët tanë janë mjaft të frustruar për faktin se po presin për një kohë tepër të gjatë në oborrin e shtëpisë. Më në fund, duam ta meritojmë vendin tonë në tryezë, bazuar në një qasje të mbështetur në meritë”, tha kryeministri maqedonas.
I pyetur nëse vëmendja e BE-së gjatë muajve të ardhshëm do të përqendrohet kryesisht te financimi buxhetor për Ukrainën dhe jo te procesi i zgjerimit, Mickoski tha se një mesazh i tillë është dëgjuar së fundmi nga BE-ja.
“Ky është një mesazh që po e dëgjojmë kohët e fundit nga BE-ja. Por, gjithashtu, do të dëshironim të shihnim dhe të dëgjonim diçka edhe për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ai.
Mickoski tha se nuk dëshiron t'i paragjykojë zhvillimet para samitit, duke shtuar se pret që të ketë diskutime më të hollësishme për zgjerimin e BE-së dhe financimin buxhetor për vendet kandidate.















