Në Shqipëri po mbahet Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, duke mbledhur së bashku zyrtarë, investitorë dhe sipërmarrës nga Bashkimi Evropian (BE) dhe vendet e rajonit.
Eventi hapës i konferencës dyditore është mbajtur në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Shqipërisë, Komisionit Evropian dhe zyrtarëve të tjerë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, në hapje të konferencës u shpreh se synimi është të kalojnë nga dialogu te vendimmarrja për investime dhe nga konvergjenca ekonomike te mobilizimi i kapitalit.
"Evropa po rikonsideron si dhe ku do të prodhohet, si siguron energjinë e saj dhe se si zhvillon teknologjinë me të cilën varet begatia e saj në të ardhmen. Nevoja për autonomi, riorganizimi i zinxhirëve të furnizimit, tranzicioni në një ekonomi të gjelbër po riformësojnë peizazhin industrial të Evropës. Ballkani Perëndimor duhet të ketë vendin e tij brenda këtij shndërrimi", tha ajo.
Ibrahimaj shtoi ndër të tjera se afërsia me tregjet evropiane, talenti sipërmarrës, kapacitetet teknologjike dhe linjëzimi progresiv drejt standardeve të BE-së e bën rajonin një ofertë bindëse. Sipas ministres Ibrahimaj zgjerimi i BE-së duhet të konsiderohet jo vetëm si zgjerim i tregut evropian, por sipas saj edhe si zgjerim i kapaciteteve produktive.
Drejtoresha e Përgjithshme për Tregun e Brendshëm, Industrinë, Sipërmarrjen dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme pranë Komisionit Evropian, Kerstin Jorna, në fjalën e saj theksoi se e zgjerimi i BE-së është një prioritet i madh për Bashkimin Evropian.
Konferenca e Investimeve BE – Ballkani Perëndimor, organizohet nën kujdesin e Qeverisë së Shqipërisë, me mbështetjen e Komisionit Evropian, duke bërë bashkë përfaqësues të institucioneve evropiane, qindra investitorë, sipërmarrës dhe aktorë të ekonomisë nga i gjithë rajoni.
Sipas organizatorëve, gjatë dy ditëve diskutimet do të përqendrohen te mobilizimi i investimeve, financimi i sipërmarrjeve inovative, infrastruktura digjitale dhe potenciali i sektorit të shërbimeve si një motor i ri i rritjes ekonomike.
Sipas autoriteteve shqiptare, kjo konferencë krijon mundësi konkrete për të afruar kapitalin evropian me tregjet e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu theksohet se për Shqipërinë, organizimi i këtij forumi është një mundësi për të forcuar pozicionin e saj si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për investimet dhe si një pikë lidhëse mes ekonomisë evropiane dhe potencialit të Ballkanit Perëndimor.
Konferenca do t'i vazhdojë punimet gjatë ditës së sotme me panele të ndyrshme diskutimi. Konferenca do të vazhdojë edhe nesër, ku pritet edhe pjesëmarrja kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe komisioneres për Zgjerimin të BE-së, Marta Kos.















