Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka zhvilluar vizitën e parë zyrtare në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Presidentja Shiroka-Pula e cila është njëherësh edhe Komandante supreme e FSK-së, është pritur me ceremoninë më të lartë ushtarake nga komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
FSK-ja bëri të ditur se gjatë takimit, gjenerallejtënant Jashari e njoftoi presidenten Shiroka-Pula për arritjet e FSK-së, procesin e zhvillimit dhe avancimit, si dhe progresin e arritur në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale.
"Presidentes iu prezantua një përmbledhje e zhvillimit të FSK-së, përfshirë procesin e transformimit, modernizimin, ngritjen e kapaciteteve ushtarake si dhe vizionin për zhvillimin e mëtejmë të Forcës", thuhet në njoftim.
Gjatë vizitës, presidentja Shiroka-Pula është pritur në takim edhe nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.















